Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) ka reaguar ashpër ndaj mospërfshirjes së saj në formimin e grupeve të punës të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që ditë më parë nisën procesin e reformave në arsim. Kryetari i LASH-it, Nuhi Dardhishta tha për Alsat se ngjashëm sikurse Qeveria e kaluar edhe kjo e tanishmja po anashkalon LASH-in, për shkak se kjo e fundit është shoqata e vetme joqeveritare që detekton problemet në arsimin shqip.
Neve nuk na ftojnë si duket për shkak se ne çdo herë i caktojmë saktësisht ku janë problemet, si në tekste, si në program, si në ngarkesën e mësimit, çdo herë ne saktësisht i kemi përcaktu ku janë problemet, ku janë gabimet dhe ku duhet të bëhen ndryshimet kurse këtyre, dikujt nuk i konvenon ajo që ti bëjmë këto ndryshime dhe me siguri nuk duan që ne të jemi pjesë. Ne habitemi që lexojmë se janë ftuar shumë shoqata joqeveritare kur e dimë se vetëm LASH është shoqatë joqeveritare shqiptare që mbron të drejtat e arsimtarëve në aspektin e programeve, planeve dhe të tjera”, tha Nuhi Dardhishta, LASH.
Kryetar i i LASH-it madje tha se udhëheqësit e Plenumit të Arsimtarëve janë ata të cilët vendosin se kush do të jetë pjesëmarrës në formimin e grupeve të punës dhe nisjen e procesit të reformave në arsim.
Ne jemi të habitur si mund të ndodhë një udhëheqës i Plenumit të Arsimtarëve maqedonas të jetë në kabinetin e ministreshes edhe ti zgjedh njerëzit se kush duhet të shkojë. Ne kemi dëgjuar se ka pas shqiptarë arsimtarë, me siguri i zgjedhin ata arsimtarë që nuk debatojnë por vetëm e çojnë gishtin dhe ne vazhdimisht ballafaqohemi me ato probleme. Do të çojmë edhe kërkesë në Ministrinë e Arsimit se përse anashkalohet LASH, ne e dimë pse anashkalohet por ta dimë se kush e bart fajin kryesor, njerëzit tanë në Ministrinë e Arsimit apo vet ministresh -u shpreh Nuhi Dardhishta, LASH.
Nga Ministria e Arsimit shfajësohen duke thënë se zyrtarisht janë ftuar vetëm institucionet arsimore që janë nën kompetencë të kësaj ministrie, ndërkohë të tjerat kanë aplikuar përmes shpalljes publike që ishte e hapur një muaj rresht. Gjithashtu, nga MASH thonë se procesi do të zhvillohet në tre faza në të cilat, në të ardhmen do të përfshihet edhe LASH-i.
Melihate Rustemi

