Reforma zgjedhore ka përplasur edhe një herë mazhorancën dhe opozitën sa i takon afateve për nisjen e punës. Përmes bashkekryetarit të komisionit të reformës zgjedhore, Taulant Balla, Partia Socialiste i ka kërkuar Kuvendit të shtyjë dhe me 1 muaj mandatin e ketij komisioni.
Struktura që bashkëdrejtohet edhe nga Oerd Bylykbashi, i skadon mandati në 9 shkurt.
Në dhjetor, mandati u shty dhe me 2 muaj të tjerë, gjatë të cilave deputetët janë mbledhur vetëm 2 herë pa arritur asnjë dakordësi.
Opozita, por edhe aleati në qeveri i PS-së, Lëvizja Socialiste për Integrim, këmbëngul për votim elektronik dhe pse maxhoranca dhe OSBE janë shprehur kundër.
“Me qëllim që veprimtaria e këtij Komisioni të Posaçëm Parlamentar të përmbushë të gjithë objektivat e përcaktuara nga Kuvendi, do të nevojitet më shumë kohë sesa u parashikua në vendimin nr.90 datë 15.12.2016 të Kuvendit.
Për këtë arsye, kërkojmë që në seancë plenare, Kuvendi të shqyrtojë dhe të miratojë projektvendimin bashkëlidhur për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për “Reformën Zgjedhore” për një periudhë prej një muaji”, thuhet ndër të tjera në kërkesën drejtuar Kuvendit.
6 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)