Pas tragjedisë së vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, thekson se është koha që institucionet të rishikojnë veprimet e tyre dhe përgjegjësitë për të parandaluar ngjarje të tilla fatkeqe.
Gjatë një interviste në emisionin “Debat Plus” në Dukagjin, Qelaj shprehu shqetësimin se deklaratat e zakonshme të tronditjes nuk janë të mjaftueshme. Ai theksoi se duhet të shqyrtohet nëse institucionet kanë bërë gjithçka të mundshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
“Kur ndodhin raste të tilla, është e domosdoshme të reflektojmë mbi veprimet tona dhe të analizojmë nëse kemi vepruar brenda kompetencave tona për të parandaluar këto tragjedi,” tha ai, duke kërkuar një qasje më serioze nga autoritetet.
Qelaj theksoi se përgjegjësia kryesore bie mbi Policinë dhe sistemin e drejtësisë, por shtoi se të gjitha strukturat shtetërore duhet të mbajnë përgjegjësi, duke përfshirë institucionin e Avokatit të Popullit.
Ai njoftoi se deri tani nuk ka pranuar ndonjë ankesë lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, por nënvizoi rëndësinë e angazhimit të tij për të hetuar informacionin që ka institucioni i tij për këtë rast të ndjeshëm.
“Nuk kam marrë asnjë ankesë deri tani. Megjithatë, në raste të tilla, angazhohem menjëherë për të parë se çfarë informacioni kemi. Nuk po them se do të kishte ndryshuar diçka, por është e rëndësishme që të gjitha hallkat e shtetit të shqyrtojnë veprimet e tyre,” shprehu ai.
Gjatë diskutimit, Qelaj gjithashtu trajtoi përmasat e dhunës në familje në Kosovë, duke theksuar se numri i rasteve të raportuara nuk përfaqëson të gjithë realitetin, pasi shumë raste mbeten të pa raportuara.
“Statistikat tregojnë vetëm një pjesë të vërtetës. Më shumë se 2,500 raste të dhunës në familje janë raportuar, por ka shumë më tepër që ndodhin brenda mureve dhe nuk raportohen. Kjo tregon se mekanizmat e mbrojtjes kanë dështuar,” përfundoi Qelaj.



