Aeroplanët që fluturojnë nga aeroporti Aleksandri i Madh në Shkup sot janë nisur nëpër destinacionet e tyre. Edhe pse dje dhjetëra fluturime të destinuara për vendet ku për momentin mbizotëron borë e përcjellë me erë e stuhi ishin anuluar, sot gjendja është normalizuar tërësisht.
Vetëm për në aeroportin e Stambollit ende nuk është marrë leja për fluturim, pasi gjendja në aeroportin “Kemal Ataturk” vazhdon të jetë kritike.
Dy fluturime nga Shkupi për në Stamboll janë anuluar sot në mëngjes. Dje për shkak të borës së madhe, akullit dhe erërave të forta janë anuluar 610 fluturime të planifikuara të kompanisë Turkish Airlines dhe afro 5.900 pasagjerë kishin mbetur të vendosur në hotelet lokale.