Shoqata Kulturore Shqiptaro-Gjermane “Sali Çekaj”, e themeluar për të nderuar kontributin e një prej heronjve më të njohur të Kosovës, ka reaguar ndaj shpifjeve dhe dezinformatave të shpërndara nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë akuzuar djalin e heroit Sali Çekaj, Hysen Çekaj, për keqpërdorimin e votave me postë në mërgatë, për të manipuluar procesin zgjedhor.
Në një reagim të ashpër, Shoqata ka theksuar se këto akuza janë të pabaza dhe përbëjnë një tentativë për të njollosur një proces të ndershëm dhe demokratik. Sipas reagimit, ka qenë vetë Lëvizja Vetëvendosje dhe aktivistët e saj që kanë ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor, duke organizuar tubime dhe duke manipuluar votuesit për të favorizuar kandidatët e tyre.
Përmes këtij reagimi, Shoqata Kulturore Shqiptaro-Gjermane ka riafirmuar mbështetje të fuqishme për Hysen Çekajn dhe ka theksuar se rezultatet e tij të shkëlqyera zgjedhore, duke siguruar mbi 12 mijë vota, janë një vlerësim i merituar për angazhimin e babait të tij, Sali Çekaj, dhe kontributin e tij të pazëvendësueshëm në organizimin e LDK-së dhe luftën çlirimtare të Kosovës.
Reagimi i plotë:
REAGIM
Reagim ndaj shpifjeve dhe dezinformatave nga eksponentët e Lëvizjes Vetëvendosje kundër djalit të kryeheroit Sali Çekaj – Hysen Çekaj Është e papranueshme dhe e turpshme që eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje po përhapin shpifje dhe dezinformata në rrjetet sociale dhe portale, duke pretenduar se në mërgatë (Gjermani dhe Zvicër) janë keqpërdorur votat me postë për të favorizuar djalin e heroit të Kosovës, Sali Çekaj – Hysen Çekaj. Këto akuza janë të pabaza dhe përbëjnë një përpjekje të ulët për të njollosur një proces të drejtë dhe demokratik. Në fakt, janë vetë strukturat e Vetëvendosjes që, përmes aktivistëve të tyre, kanë ndërhyrë në mënyrë direkte në procesin zgjedhor, duke financuar tubime, organizuar pika të votimit, orientuar votuesit, organizuar votime në grup dhe madje duke mbuluar shpenzimet e transportit me autobusë nga Gjermania dhe Zvicra për në Kosovë.
Kjo sjellje është një përpjekje e qartë për të mbuluar veprimet e tyre ordinere dhe për të fshehur humbjen e tyre elektorale. Është më se e dukshme se Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, kanë një histeri politike ndaj LDK-së dhe suksesit të saj. Rezultati i Hysen Çekajt, me mbi 12 mijë vota, ua ka prishur matematikat dhe ua ka dëshmuar dështimin politik. LDK-ja, që nga viti 1990, ka qenë bartëse dhe shtylla kryesore e çdo organizimi kombëtar në mërgatë. Një nga figurat kryesore të këtij organizimi ishte intelektuali dhe atdhetari Sali Çekaj. Vota masovike për djalin e tij, Hysen Çekaj, është një vlerësim dhe nderim për kontributin e madh të tij në organizimin e LDK-së në Gjermani, si dhe për meritat e veçanta në përgatitjen e luftës çlirimtare të vitit 1998/99. Pas katër vitesh qeverisje nga Vetëvendosje, Kosova përballet me izolim ndërkombëtar, sanksione, mungesë investimesh strategjike, reforma të dështuara, ekonomi të stagnuar dhe një polarizim të thellë në shoqëri.
Për fat të keq, rinia dhe kuadrot më të afta të vendit po largohen masivisht për shkak të një qeverisjeje pa vizion dhe pa një program të qartë për të ardhmen. Prandaj, këto shpifje dhe dezinformata nuk janë gjë tjetër veçse një përpjekje e dëshpëruar për të manipuluar opinionin dhe për të larguar vëmendjen nga dështimet e qeverisë aktuale. Kosova ka nevojë për një qeverisje të përgjegjshme, transparente dhe me vizion të qartë, e jo për propagandë dhe akuza të pabaza. Urime dhe suksese Hysen S. Çekaj për zgjedhjen si deputet në Parlamentin e Kosovës!
Me respekt, Osman Ferizi – kryetar NDERI i Shoqatës Kulturore “Sali Çekaj” në Pfaffenhofen. ish-kryetar i Degës së LDK-së për Gjermani (2019-2023) 06.03.2025