Deputeti i koalicionit ASH-AAA, Abdulla Saliu nëpërmes rrjetit social “Facebook”, ka demantuar shkrimet e portaleve të afërta me partitë në pushtet kinse ka shkaktuar incident në pikën kufitare në Bllacë.
Saliu në statusin e tij ka thënë se policia kufitare nuk është sjellur në mënyrë profesionale ndaj meje, si i zgjedhur dhe përfaqsues i popullit, nëpërmes këtij statusi, Saliu i ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet dhe shkrimet sipas tij, tendencioze të disa portaleve, të cilat Saliu beson se janë të nxitura dhe me direktiva partiake.
Deputeti i opozitës ka thënë se është i gatshëm të bartë edhe përgjegjësinë, por thotë se nuk do të jem i gatshëm të bie pre e shantazheve.
Statusi i plotë
“Keni pasur mundësinë të lexoni në disa portale, se kinse unë paskam shkaktuar ,,incident” në vendkalimin Bllacë. Është e vërtetë se unë kamë udhëtuar në drejtim të Kosovës dhe ajo që mund të them është se policia kufitare nuk është sjellur në mënyrë profesionale ndaj meje, si i zgjedhur dhe përfaqsues i popullit. I hedhë poshtë të gjitha pretendimet dhe shkrimet tendencioze të disa portaleve, të cilat besoj të nxitura dhe me direktiva partiake, duan të njollosin personalitetin tim dhe subjektit politik që i takoj, ndërsa qëllimi është më se i qartë, zhvendosje të vëmendjes nga skandalet e përditshme të qeverisë LSDM-BDI. Të nderuar qytetarë, anëtarë, simpatizant dhe përkrahës të Koalicionit Aleanca dhe Alternativa, ju kërkoj falje nëse këto shkrime ju kanë bërë të ndjeheni keq, por ju siguroj se unë me asnjë veprim nuk kam shkaktuar as një incident më të vogël. Sjellja ime mundë të mos u ket pëlqyer policëve kufitarë, të cilët tentuan të më provokojnë mua dhe familjen time. Gjithashtu edhe unë dhe familja ime, pavarësisht presionit të policisë kufitare, nuk jemi të shqetsuar aspak as nga kërcënimet me gjoba dhe ndalesa, shqetësuese është harbutëria e pushtetit që mundohet të më njollos. Ne nuk habitemi as nga raporte të tilla të montuara të policisë, sepse kjo kastë politike u ka montuar tash 20 vite sa e sa procese të montuara politike dhe burgosje me burgim të përjetshëm shqiptarëve, e jo më një raport për gjoja hypje ne trotuar të makinës së një deputeti. Unë asnjëher nuk kam ikur nga përgjegjësia, sepse kjo nuk është në edukatën dhe karakterin tim. Jam i gatshëm të marrë përgjegjësi cilado qoftë ajo, por asnjëher nuk kam qenë dhe nuk do të jem i gatshëm të bie pre e shantazheve. Prandaj, ju bëj me dije se frika dhe shantazhi tek unë nuk kalojnë, kot lodhen me veprime dhe raporte të tilla”, ka shkruar Saliu.