Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Regjistrin Qendror, duke theksuar se në 40 avancimet e realizuara në këtë institucion publik nuk është avancuar asnjë shqiptar. Nga kjo parti vlerësojnë se ky rast përbën një shkelje serioze të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si trajtohen shqiptarët në institucionet shtetërore.
“Fakti që në një institucion publik janë realizuar 40 avancime dhe asnjë prej tyre nuk i takon një shqiptari tregon qartë se përfaqësimi nuk është më standard, por është shndërruar në përjashtim”, theksojnë nga BDI. Sipas tyre, përgjegjësi direkte për këtë situatë mban koalicioni në pushtet, përkatësisht VLEN, i cili, si pjesë e qeverisë, duhet të garantojë respektimin e të drejtave të shqiptarëve në administratën publike. “Ndërkohë që të drejtat e shqiptarëve duhet të mbrohen, përfaqësuesit në pushtet kanë zgjedhur të heshtin”, thuhet në reagim.
BDI kërkon sqarim të menjëhershëm nga institucionet përkatëse lidhur me kriteret dhe procedurat mbi bazën e të cilave janë realizuar këto avancime, si dhe ndërmarrjen e masave konkrete për të siguruar përfaqësim të drejtë dhe të barabartë në institucionet shtetërore. “Shqiptarët nuk mund të trajtohen si të padukshëm në institucionet e këtij shteti”, përfundon reagimi i BDI-së.


