Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj sulmit që ndodhi ndaj gazetarit Naser Selmani, duke e cilësuar atë si një akt të shëmtuar që synon frikësimin e zërit të lirë dhe heshtjen e mendimit kritik.
“Ky akt i shëmtuar është përpjekje e drejtpërdrejtë për ta frikësuar zërin e lirë dhe për ta heshtur mendimin kritik në shoqërinë tonë,” thuhet në reagimin e Aleancës.
Nga kjo parti theksojnë se dhuna dhe presioni ndaj gazetarëve është në rritje, ndërsa institucionet shtetërore po tregohen të pafuqishme dhe pasive.
“Dita ditës po shohim rritje të presionit dhe të dhunës ndaj gazetarëve, ndërkohë që kjo qeveri vazhdon të mbyllë sytë dhe të qëndrojë pasive para këtyre fenomeneve të rrezikshme. Heshtja institucionale është e barabartë me bashkëfajësi,” thuhet më tej.
Aleanca për Shqiptarët kërkon hetim urgjent, transparencë të plotë dhe përgjegjësi ligjore për autorët dhe urdhërdhënësit e këtij sulmi.
“Liria e shprehjes dhe e medias është themel i çdo shoqërie demokratike. Sulmet ndaj gazetarëve nuk janë vetëm kërcënim ndaj individëve, por sulm ndaj të gjithë qytetarëve dhe të drejtës së tyre për t’u informuar lirshëm e pa frikë,” thuhet në reagim.
Në fund, Aleanca për Shqiptarët shprehu solidaritet të plotë me Selmanin:
“Ne shprehim solidaritet të plotë me gazetarin Naser Selmani dhe do të qëndrojmë gjithmonë në mbrojtje të fjalës së lirë dhe demokracisë në vendin tonë.”