30 June
Partitë politike me qëndrime të ndryshme ndaj akuzave të ngritura nga Prokuroria Speciale. Kërkesës së kësaj prokurorie për paraburgim të Ejup Alimit dhe Ismet Gurit të BDI-së, vetë BDI-ja i përgjigjet me heshtje. Por, Ejup Alimi në një deklaratë me shkrim për Alsat thotë se do të bashkëpunojë me drejtësinë për të nxjerrë të vërtetën lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij.
Duke qenë i bindur se kjo akuzë për të cilën jam i informuar vetëm nëpërmjet mediumeve nuk ka asnjë bazë, mendoj se puna e pavarur e këtij institucioni është mënyra më e mirë për të dëshmuar fajësinë por edhe pafajsinë e gjithësecilit. Mbetem në shërbim të drejtësisë. Në ndërkohë pres të respektohet prezumimi i pafajësisë, derisa kjo të vërtetohet në procedurë gjyqësore- deklaroi Ejup Alimi, Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së.
Pas kërkesës së PSP-së për masë kujdesi ndaj kreut të PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili po ashtu është akuzuar për ndërhyrje në procesin zgjedhor nga kjo parti mbeten në qëndrimin e fundit të liderit Thaçi se kur flet drejtësia të gjithë duhet të heshtin. Për akuzat ndaj 91 personave të tjerë, në mesin e të cilëve edhe kreut të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, partia më e madhe opozitare sërish doli me akuza ndaj PSP-në se duke e quajtur zyrë të LSDM-së.
Qëllimi i PSP-së është eliminimi i VMRO-DPMNe-së me qëllim dobësimin e shtetit. PSP-ja udhëheq proces politik, qëllimi i të cilit është politik dhe jo i drejtësisë, andaj pa pasur asnjë lloj dëshmie po bëhet gjueti kundër një partie të tërë. 100 personat e organeve kryesore të VMRO DPMNE-së janë të akuzuar politik, pa ekzistuar dëshmi- reaguan dje nga VMRO-DPMNE-ja pas akuzave të fundit të Speciales.
Zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov nuk komenton akuzat e PSP-së, pasi ky institucion sipas tij ka të bëjë ekskluzivisht me pushtetin e tretë, gjyqësorin. Shilegov tha se gradualisht shteti i “kapur” po shndërrohet në shtet të së drejtës. Nga ana tjetër, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët ndonëse përshëndesin punën e deritanishme të PSP-së, janë të dëshpëruar nga drejtësia, respektivisht qasja selektive e këtij institucioni.
Megjithëse është për t’u përshëndetur puna e Prokurorisë Speciale Publike edhe pas akuzave të djeshme është dëshpëruese dhe shqetësuese se edhe dje funksionarë të lartë të BDI-së nuk u përmendën dhe nuk u akuzuan nga Prokuroria Speciale Publike. Sikur ata të jenë engjëj dhe nuk e dimë arsyen pse nuk u hapën lëndë për ta. Edhe më dëshpëruese është edhe ajo se as dje nuk u hapën lëndët për Rastin Monstra dhe Sopoti. Shqiptarët kanë pritur shumë më shumë nga PSP-ja- thanë nga Lëvizja Besa Faton Fazliu.
Megjithatë Aleanca për Shqiptarët është në një farë mënyre e zhgënjyer se pse kjo Prokurori Publike Speciale, e cila ka pasur një përkrahje jashtëzakonisht të madhe nga subjekti ynë nuk arriti që deri në këtë kohë t’i paraqes dhe t’i procedoj edhe akt-akuzat rreth çështjeve tashmë të njohura siç është Monstra e Lagjjes së Trimave, të cilat gjithsesi se vlerësojmë se kanë qenë pjesë e përgjimeve të paligjshme. Njëkohësisht edhe ne apelojmë që në bazë të hapësirës dhe mundësisë sa më shpejtë të japin përgjigje, ngase vlerësojmë se për t’u kthyer besimi i shqiptarëve në gjyqësi dhe prokurori duhet këto raste me urgjencë të zbardhen sa më shpejtë- deklaroi Flakron Bexheti, Aleanca për Shqiptarët
Ndryshe, dje PSP-ja ngriti 17 akt-akuza, kundër 94 personave për shpërdorim detyre, mashtrime zgjedhore, kurdisje tenderësh, keqpërdorime financiare, e vepra tjera të dënueshme me Kodin Penal të Maqedonisë.
Anesa Aliti

