Reagimi i partnerëve të vegjël, Ruzhin: Nuk rrezikon shumicën parlamentare

Reagimi i partnerëve të vegjël, Ruzhin: Nuk rrezikon shumicën parlamentare

Pakënaqësia e partnerëve më të vegjël në koalicionin qeverisës, pas përfshirjes së Alternativës, nuk pritet të degjenerojë në rrezik të ri për shumicën parlamentare dhe jetëgjatësinë e kësaj qeverie.

Profesori universitar, Nanon Ruzhin, konsideron se kjo pakënaqësi mund të rikuperohet me ofrimin e posteve të tjera në nivele më të ulëta.

“Jam i bindur se edhe Partia Liberal Demokrate dhe Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë nuk do të bëjnë hap më serioz veçse të përpiqen për të fituar edhe ndonjë vend më të imët, që mbeten për t’u ndarë, qofshin ato poste diplomatike apo poste nëpër këshilla, por në parim, nuk priten lëvizje më të mëdha në skenën politike në Maqedoninë e Veriut.”,- tha profesori universitar, Nano Ruzhin.

Sipas profesorit Ruzhin, situata e krijuar ka nxjerrë në pah një problem tjetër. Sipas tij, partitë e vogla të cilat nuk janë pjesë e koalicioneve parazgjedhore, në parim, janë mësuar që të bëjnë koalicion postzgjedhor me partinë fituese dhe vazhdimisht të jenë në pushtet.

“Mendoj se ata u mësuan në parimin që do të bëjmë koalicion me atë që është në pushtet. Kështu që disa nuk janë të kënaqur me ndarjen e kulaçit, me hyrjen e Alternativës, prandaj nuk ishte as befasi që PLD dhe RDM shkuan veçmas në zgjedhjet lokale.”,- theksoi profesori Ruzhin.