Sulmi i mëngjesit ndaj automjetit të gazetarit të njohur nga Shkupi, Naser Selmani, ka shkaktuar një valë reagimesh në opinionin publik dhe politik të Maqedonisë së Veriut. Gazetari njoftoi se një person i panjohur kishte dëmtuar me thikë gomën e makinës së tij të parkuar para banesës, akt që ai e cilësoi si përpjekje për frikësim dhe heshtje të fjalës së lirë.
Selmani, duke iu drejtuar autoriteteve, kërkoi zbardhjen e autorëve dhe inspiratorëve të ngjarjes, ndërsa u bëri thirrje drejtuesve politikë të dënojnë aktin. Reagimet nuk vonuan: kryetari i ASH-së, Arben Taravari, e cilësoi sulmin si tregues të “ditëve të numëruara të diktaturës”; BDI e dënoi si një akt të papranueshëm ndaj lirisë së medias; ndërsa përfaqësuesit më të lartë shtetërorë, përfshirë zëvendëskryeministrat Izet Mexhiti dhe Arben Fetai, kërkuan hetim të plotë dhe mbrojtje të gazetarëve.
Në Tiranë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagoi me shqetësim, duke dënuar aktin dhe kërkuar zbardhjen e plotë të rastit.
Një reagim të veçantë dha Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, i cili nënvizoi se “dhuna dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë”, duke bërë thirrje që organet hetimore të veprojnë pa vonesë.
Ky qëndrim u mirëprit dhe u vlerësua publikisht nga vetë gazetari Selmani, i cili falënderoi Ambasadorin Meidani për mbështetjen, duke e konsideruar solidaritetin e tij një dëshmi të qartë se mbrojtja e lirisë së medias është kauzë e përbashkët kombëtare dhe demokratike.