Zyra për Marrëdhënie me Publikun e kandidatit për Kryetar të Komunës së Gostivarit, Visar Ademi, ka reaguar ndaj deklaratave të Valbon Limanit, i cili në një intervistë për një media paralajmëroi projekte të mëdha infrastrukturore për qytetin, si rikonstruksioni i bulevardit “Vëllezërit Gjinovski”, ndërtimi i një ure të re me katër korsi, rregullimi i qendrës, garazhi nëntokësor dhe rikualifikimi i parkut të qytetit.
Në reagim thuhet se premtime të tilla, veçanërisht në prag të zgjedhjeve, janë më shumë kërcënim sesa shpresë për qytetarët, duke marrë parasysh se problemet më bazike ende nuk janë zgjidhur. “Papastërtia, qentë endacakë, trafiku kaotik, shkollat e pasigurta dhe borxhet e larta janë realiteti i përditshëm në Gostivar”, thuhet në njoftim.
Zyra e Ademit thekson se qytetarët janë të zhgënjyer nga dy mandatet e kaluara të Arben Taravarit dhe Valbon Limanit, që sipas tyre kanë sjellë vetëm administratë të fryrë, mungesë investimesh dhe menaxhim të dobët.
“Kandidati Visar Ademi nuk premton mrekulli me fjalë, por angazhohet për punë konkrete dhe rezultate të prekshme: rrugë të rregulluara, shkolla dhe çerdhe të sigurta, qytet të pastër dhe menaxhim transparent të financave publike”, përfundon reagimi.