Policia e Kosovës ka konfirmuar gjuajtjen me armë zjarri në lokalin “Kobra City” në dalje të Pirzrenit, sot, ku i vdekur mbeti një person, e një tjetër i plagosur. Të dy nga Kukësi.
Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, policia shqiptare ka njoftuar vdekjen e 31-vjeçarit me iniacialet V. C., dhe plagosjen e R. Sh., 27 vjeç. Të njëjtit po barteshin me automjet nga shtetasi A.B., në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit.
Sipas informacioneve të para 31-vjeçari vdiq rrugës për në spital, teksa i plagosuri po qëndron nën kujdesin e mjekëve.
Zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha se policia është duke u marrë me rastin.
“Kemi pranuar informatën rreth orës 04:10 për gjuajtje me armë zjarri në “Kobra City” në dalje të Prizrenit. Një person ka vdekur dhe një është plagosur. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke u marrë me rastin”.
Kukës/Informacion paraprak.
Në Morinë, rreth orës 04:25, të mëngjesit, kanë hyrë për në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit, shtetasit V. C., 31 vjec, dhe R. Sh., 27 vjeç, që transportoheshin me automjet nga shtetasi A . B., të tre nga Kukësi, ku shtetasit V. C., dhe R. SH , ishin të plagosur me armë zjarri në Prizren të Kosovës.
Si pasojë e plagëve të marra shtetasi V. C., ka ndërruar jetë gjatë rrugës, ndërsa shtetasi R. Sh., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Në lidhjen me ngjarjen, menjëherë nga DVP Kukës është ngritur grupi hetimor i cili po kryen veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës.
Nga deklarimet e para të shtetasit të plagosur dhe shtetasit A. B., që i ka transportuar për në spital, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit, ku pas një konflikti në një lokal nate me disa shtetas kosovar.
Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre.
Në lidhje me ngjarjen është komunikuar me Policinë kosovare dhe vijon shkëmbimi i informacionit.
Grupi hetimor vijon veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.