02 October
Gjykata Apelit akoma nuk ka pranuar ankimimin e mbrojtjes së Edmond Themelkos, i dyshuari i Prokurorisë Speciale në lëndën “Titanik” për keqpërdorime zgjedhore në vitin 2013. Vonesat kanë për bazë procedurat ligjore të vendimit për paraburgim të cilin kreu i Pustecit akoma nuk e ka pranuar. Në momentin që lënda do të bëhet aktive para organeve hetuese, mbrojtja do të nisë procedurën për ankimim.
Gjykata dhe Prokuroria urdhëresën fillimisht kanë destinuar në Gjykatën Themelore të Prespës ndërsa pas miratimit e njëjta duhet të destinohet deri tek burgu i Shutkës dhe te ne si mbrojtje. Më pas procedurat për ankimim në Apel do të vijojnë sipas rregullativës ligjore- tha avokati mbrojtës Donço Nakov.
Ditë më parë mbrojtja e Themelkos njoftoi se ka formuluar ankesën ndaj vendimit për paraburgim 30 ditor. Sipas avokatit Nakov, ankesa ka për bazë urdhëresën për flet arrest ndërkombëtarë ndaj të dyshuarit Themelko nën arsyetimin se i njëjti ka lëvizur nga Maqedonia ndonëse nuk ka pasur të drejtë. Nakov pretendon se pala e akuzës ka urdhëruar flet arrest ndërkombëtar në kundërshtim me Kodin Penal, pasi sipas tij, Temellko ka poseduar edhe dokumente të Shqipërisë të cilat i kanë mundësuar lëvizjen. Ai madje shton se klienti i tij ka respektuar deri në fund obligimin për paraqitje në Gjykatën Themelore të Prespës dhe se asnjëherë nuk ka pasur tendenca për arratisje.
Përveç Temelkos, në rastin “Titanik” akuzohen edhe ish kryeministri, Nikolla Gruevski si dhe ish ministrat në qeverinë e tij, Gordana Jankulloska dhe Mile Janakieski. Në mesin e 20 të akuzuarve janë edhe ish sekretarët e përgjithshëm Martin Protugjer dhe Kirill Bozhinovski. Përveç ish krerëve të VMRO DPMNE-së, për keqpërdorime zgjedhore në procedurë hetimore janë edhe zyrtarët e BDI-së, Ejup Alimi dhe Ismet Guri. Specialja kërkoi paraburgim për ta, por gjykata nuk pranoi.
Adrian Kerimi

