Alsat-M 2019-06-18T15:15:45+02:00
Pas “shpërthimit” të aferës së përgjimit masiv në vitin 2015, kreu i Drejtorisë së Pestë në DSK i asaj kohe, Goran Grujevski iu ka thënë punonjësve se pajisjet e përgjimit, së bashku me dokumentet duhet të shkatërrohen edhe atë në dy raste. Këtë e konfirmoi Sasho Trajkovski, inxhinier në DSK, i cili është dëshmitar i Prokurorisë Speciale në rastin e përgjimit masiv “Target – Fortesa”. Trajkovski ishte gjithashtu kryetar i Komisionit për shkatërrimin e pajisjeve dhe tha se ata nuk kishin kapacitet të bëjnë evidentimin se çfarë do të shkatërrohej. Vendimin për shkatërrimin e sistemeve e ka nënshkruar ministrja e atëhershme Gordana Jankulovska. Pajisjet më të vogla janë shkatërruar, por sipas tij, gjithçka ishte në përputhje me vendimin e Jankullovskës, dhe siç do të thoshte Grujevski, pohon dëshmitari.
Na është thënë nga Grujevski se ka një kompani që do ta presë pajisjen që është për shkatërrim, së pari në copa prej pesë centimetrave dhe se ato copa do të dërgohen përsëri për shkatërrim në një kompani tjetër dhe se pajisjet atje do të copëtohen në pjesë edhe më të vogla. “- theksoi – Sasho Trajkovski – dëshmitar i Prokurorisë Speciale
Në sistemin e vjetër për ndjekje të komunikimit, i njohur si “Verint”, nuk kishte qasje nga jashtë MPB-së, por me sistemin e ri “Najs” situata ishte ndryshe, pohon Trajkovski.
Për sistemin “Nice”, e di se ka pasur një departament të veçantë në ish Aero Klubin përballë shkollës së mesme Josip Broz Tito në Qendër, ku sipas udhëzimeve të kryeshefit Goran Grujevski janë instaluar stacionet e punës. Kam kuptuar nga një koleg se kishte një apartament afër stacionit hekurudhor nga ku kanë pasur qasje dhe kur kanë ardhur kolegët nga Ministria e Brendshme, ata kanë zënë parkingun, dhe banorët janë ankuar. Ka pasur gjithashtu një plan për të pasur qasje në sistemin e ndjekjes nga një objekt në Peshtani, ish stacioni policor, por nuk e di nëse është realizuar kjo”. – u shpreh – Sasho Trajkovski – dëshmitar i Prokurorisë Speciale Publike
Dëshmitari ka punuar për një periudhë të caktuar në “stacionin e shënimit”, ku janë futur numrat në sistemin e përgjimit. Ai kujtoi se kishte vetëm një rast kur i është kërkuar të shënohet një numër telefonik për ndjekje me urdhër të gjykatës. Të gjitha përgjimet e tjera kanë qenë pa urdhër. Shënuesit kanë qenë në dijeni se hyrje në sistem ka pasur edhe nga zyra e drejtorit Sasho Mijalkov dhe nga zyra e kryeshefit Goran Grujevski. Kishte gjithashtu një grup përdoruesish, të quajtur “e rëndësishme”. Të gjithë numrat që ishin objekt i përgjimit është dashur të shtohen në grup, ku qasje kanë pasur nga kompjuterët e Mijalkovit dhe Grujevskit. Operatorët mobil ONE, VIP dhe T-Mobile kishin kapacitetin për të ndjekur 2500 pajisje në mënyrë individuale. Trajkovskit nuk i kujtohet sa ka qenë kapaciteti i përgjimit të numrave nga telefonia fikse. Në rastin Target-Fortesa, të akuzuar janë ish-kryeshefi Grujevski, i cili është në arrati, ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijalkov, Toni Jakimovski, Vladimir Valerov dhe pesë punonjës të tjerë në Drejtori” . Pas kritikave në publik se procesi gjyqësor për këtë lëndë po zvarritet, gjykatësi Vladimir Tufegçiq kërkoi nga dëshmitari dhe prokurorët, që të ishin më ekonomik në prezantim.
Alsat
Loading…



