Reagimi i deputetit të VLEN-it, Adnan Azizi, ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri ka ngritur pikëpyetje mbi arsyen e përfshirjes së tij në debatet e brendshme të shtetit shqiptar. Azizi akuzoi BDI-në për propagandë dhe etiketime politike, duke e lidhur këtë edhe me institucionet e Shqipërisë.
Por, pothuajse në të njëjtën kohë, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, dha një mesazh të fortë pas shpalljes “non grata” të Igballe Berishës. Ai deklaroi se kjo masë nuk do të mbetet rast i izoluar dhe se nuk do të hezitojë të ndërmarrë të njëjtin veprim edhe ndaj personave të tjerë që nuk janë shtetas shqiptarë, por që, sipas tij, përpiqen të ndikojnë në agjenda që bien ndesh me interesat e Shqipërisë dhe rrugën e saj evropiane, raporton Almakos.
Kjo ka nxitur diskutime nëse reagimi i Azizit është thjesht një qëndrim politik apo lidhet me klimën e krijuar pas këtij paralajmërimi të autoriteteve shqiptare. Deri tani nuk ka asnjë indikacion apo deklaratë zyrtare që e lidh deputetin e VLEN-it me ndonjë procedurë të tillë, megjithatë koha dhe konteksti në të cilin erdhi reagimi kanë hapur debat në opinion.
Deklarata e Lamallarit se pas rastit të Igballe Berishës mund të ketë edhe shpallje të tjera “non grata” ka rikthyer në vëmendje çështjen e përfshirjes së aktorëve politikë nga jashtë në debatet e brendshme të Shqipërisë, duke shtuar interesin edhe për reagimet e figurave publike e politike jashtë Shqipërisë./Almakos


