Prokuroria Themelore Publike në Koçan ka ngritur aktakuzë kundër tre personave dhe propozim-akuzë kundër gjashtë personave për vepra që lidhen me ryshfetin, keqpërdorimin e pozitës zyrtare, zbulimin e sekretit zyrtar dhe falsifikimin, në lidhje me kontrollet e Drejtorisë së të Ardhurave Publike në diskotekën “Puls” në Koçan dhe në kompani të tjera të lidhura me të, transmeton Portalb.mk.
Aktakuza për veprën penale – Marrje ryshfeti, nga neni 357 i Kodit Penal, është ngritur kundër dy kontrollorëve tatimorë, njëri prej të cilëve akuzohet për dy veprime të tilla. Ata i kanë kërkuar dhe marrë syze dhe një orë dore nga personi i tretë, i akuzuar për veprën penale – Dhënie ryshfeti, nga neni 358 i Kodit Penal, me qëllim që ta informonin për kontrollet e jashtëzakonshme të paparalajmëruara në kompanitë ku ai ishte person përgjegjës.
Megjithëse ishin të vetëdijshëm se, sipas ligjit, nuk guxonin të zbulonin informacione të marra gjatë një procedure tatimore, i akuzuari i parë megjithatë e ka informuar të akuzuarin e tretë, përmes mesazheve në Viber, për veprimet e Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me kompanitë e përmendura. Me këtë, ai ka kryer edhe veprën penale të vazhduar – Zbulim i sekretit zyrtar, nga neni 360 i Kodit Penal.
Dy kontrollorët tatimorë akuzohen edhe për veprën penale – Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar, nga neni 353 i Kodit Penal, pasi gjatë një kontrolli të kryer më 6 mars 2024 në subjektin juridik ku person përgjegjës ishte i akuzuari i tretë, kishin konstatuar parregullsi tatimore dhe qarkullim të paregjistruar, por shkeljen e zbuluar nuk e kishin përfshirë në procesverbal. Me këtë, buxhetit i kanë shkaktuar dëm prej 98.400 denarësh, pasi shkelësi nuk e kishte paguar gjobën e paraparë.
Me qëllim që të mbulonte parregullsitë e konstatuara gjatë kontrollit, i akuzuari i dytë ka kryer edhe veprën penale – Falsifikim i dokumentit zyrtar, nga neni 361 i Kodit Penal, përkatësisht ka falsifikuar raportin zyrtar për kontrollin e kryer.
Kundër katër kontrollorëve dhe inspektorëve të tjerë tatimorë, në gjykatë është paraqitur propozim-akuzë për veprën penale – Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar. Njëri prej tyre akuzohet edhe për veprën penale – Falsifikim dokumenti.
Përveç tyre, një punonjëse e Inspektoratit Shtetëror të Tregut ka kryer veprën penale – Zbulim i sekretit zyrtar, duke zbuluar informacione se kur do të realizoheshin kontrollet aksionale.
Kontrollorët dhe inspektorët e akuzuar të Drejtorisë së të Ardhurave Publike kishin kryer kontrolle tatimore në subjekte juridike ku pronar real paraqitet i akuzuari i gjashtë, babai i personit të akuzuar më herët për dhënie ryshfeti. Megjithatë, ata nuk i kishin evidentuar parregullsitë e konstatuara dhe kishin falsifikuar raportet për mbikëqyrjet e kryera. Si rezultat, kompanive nuk u ishin shqiptuar gjobat e parapara me ligj. Në veprimet e keqpërdorimit i kishte ndihmuar edhe vetë pronari real, i cili është i akuzuari i gjashtë në këtë rast.
Kallëzimi penal për veprime që lidhen me keqpërdorimin e pozitës zyrtare përfshinte edhe katër persona të tjerë. Për dy prej tyre procedura është ndërprerë për shkak të parashkrimit, ndërsa për dy të tjerët është konstatuar se nuk kanë kryer veprime që përbëjnë veprën e përmendur apo ndonjë vepër tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.
Në zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan.



