Për aktgjykimin e shqiptuar më 5 prill, afati përfundimtar kur Gjykata e Kumanovës duhet t’ua japë vendimin gjyqësor avokatëve dhe familjarëve skadon më 6 qershor. Avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq, për TVM2 konfirmon se një gjë të tillë deri më tani gjykata nuk e ka bërë.
Avokatët e familjes Aliu janë të mendimit se Gjykata e Kumanovës e sterzgjat procedurën, sepse e ka shumë të vështirë të arsyetojë vendimin e shpallur më herët për këtë rast, andaj dhe janë këto vonesa.
“Deri në këto momente as unë si avokat i familjes Aliu e as pjesëtarët e familjes së vogëlushit nuk e kanë e marrë aktgjykimin e shpallur më datën 5 prill në formë të shkruar. Duke marrë parasysh eksperiencën time shumëvjeçare, moshartimi i vendimeve gjyqësore qëndron tek pamundësia e gjykatësve të japin shpjegimet e tyre, ose të arsyetojnë vendimet e shpallura. Për këto arsye mendoj se Gjykata e Kumanovës e ka shumë problem dhe të vështirë për të arsyetuar vendimin e pakuptimtë me të cilin dënuan me 6 vite burg Boba Iliq”,- tha avokati i familjes së Almir Aliut, Asmir Alispahiq.
Avokatët e familjes Aliu paralajmërojnë se do të ankimojnë vendimin gjyqësor në Gjykatën e Apelit dhe se do të insistojnë që procesi gjyqësor të fillojë nga e para.
“Nga ana jonë do të ankimohet vendimi gjyqësor në Gjykatën e Apelit dhe në të do të japim sqarime të qarta në lidhje me gjërat e pakuptimta dhe jologjike që kanë ndodhur në lidhje me procesin gjyqësor dhe me vendin e ngjarjes, me qëllim që ky rast sërish të kthehet në rigjykim, ku do të merret parasysh aplikimi i saktë i së drejtës materiale në pjesën e rikualifikimit të lëndës dhe për vlerësimin e gjendjes së drejtë faktike në vendimin e ngjarjes”,- u shpreh avokati i familjes së Almir Aliut, Asmir Alispahiq.
Gjykatësja, Maja Denkovska, më 5 prill muajin e kaluar, përveç Boban Iliqit, dënoi me 6 muaj burg edhe babanë e Almirit, Sedat Aliun, dhe me 9 muaj burg Abdulla Aliu dhe Sami Demirin. Përndryshe, katërvjeçari, Almir Aliu, u shkel për vdekje me veturë nga Boban Iliq pas një zënke banale para Urgjencës së qytetit të Kumanovës.