Familjarët e të dënuarve në rastin “Alfa” mirëpresin vendimin e Gjykatës së Apelit për përsëritjen e procedurës penale. Ata kërkojnë që gjatë procesit të rigjykimit, Rexhail Qerimi dhe Agim Islami të mbrohen në liri. Kërkesën e tyre e bazojnë në praktikat e rastit “Monstra” dhe “Sopoti”. Kërkesa e parë për përsëritje u hodh poshtë nga Gjykata Penale, por mbrojtja duke apeluar vendimin, pret që çështja përsëri të kthehet në gjykatën e shkallës së parë.
Deri në fund të javës, pritet që Gjykata e Apelit edhe zyrtarisht ta kumtojë vendimin që Penalja të merr në shqyrtim kërkesën e mbrojtjes për rigjykim. Procesi gjyqësorë për rastin “Alfa” ka kaluar nëpër të gjitha instancat. Vendimin e parë mbrojtja e kishte ankimuar në Apel, ndërsa më pas edhe në Gjykatën Supreme. Të gjitha shkallët kishin vërtetuar vendimin e Penales. Vrasja e policit shqiptar dhe plagosja e dy policëve maqedonas ndodhi më 26 nëntor të vitit 2008 në parkingun e Fakultetit Matematiko-natyror në Shkup.
Që në ditën e parë ishin arrestuar Rexhail Qerimi nga Kumanova dhe Xhemail Rexhepi i njohur si Komandant Shqiponja. Pas marrjes në pyetje në stacionin policorë të Autokomandës në Shkup, ishin lënë të lirë. Paralelisht ishte arrestuar edhe Agim Islami dhe disa persona të tjerë. Dëshmitë flasin se ADN-ja dhe prezenca e parafinave në duar dhe trup nga të dyshuarit ishin marrë në ditën e vrasjes. Familja Qerimi pretendon se parafina në këmishën e Rexhailit ka qenë nga pushka me të cilën ka kryer gjueti në malësi të Likovës pak ditë para arrestimit.
Më pas ishin lënë të lirë, për t’u arrestuar pas 20 ditëve si të dyshuar kryesor: Rexhail Qerimi, Agim Islami, Almir Derplanini dhe Ramadan Shaqiri si i dyshuar për logjistikë. Qerimi, Islami dhe Derplanini u dënuan me burg të përjetshëm, ndërsa Shaqiri me 6 vite burg. Ky i fundi përfundoi masën efektive, ndërsa Derplanini u la i lirë.