Rastësi apo e programuar, kjo e enjte duket se do të mbajë mbërthyer shqiptarët për zhvillimet e forta politike. Krahas parlamentit marantonë, nisur prej orës 10:00 të mëngjesit, interesante janë zhvillimet e pasdites.
Kështu ndërsa ish-kryeministri Berisha ka njoftuar se do të fillojë sot turin e takimeve në të gjithë vendin duke nisur nga Tirana në 18:00, një takim që sic u shpreh është i konceptuar si një bashkëbisedim për një Parti Demokratike më të bashkuar, në po të njëjtën orë, Zëri i Amerikës do të transmetojë intervistën e zhvilluar me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Kujtojmë se kjo e fundit ka përcjellë mesazhe të forta ndaj ish kryeministrit i shpallur ‘non grata’ nga SHBA.
Intervistën ambasadorja amerikane e njoftoi përmes një postimi në facebook, ku shkruante se diplomacia ka të bëjë me më shumë se thjesht qeveri me qeveri; ka të bëjë edhe me marrëdhënien njerëz me njerëz, madje edhe bizneset.
“Pra, detyra ime e parë, përparësia ime e parë është të sigurohem që qeveritë tona të kenë një marrëdhënie të mirë pune. Por përtej kësaj, diplomacia ka të bëjë me më shumë se thjesht qeveri me qeveri; ka të bëjë edhe me marrëdhënien njerëz me njerëz, madje edhe bizneset. Dhe prandaj më shikoni mua dhe diplomatë të tjerë në ambasadën amerikane të udhëtojmë rretheqark vendit, sepse kemi punë këtu në Tiranë me zyrtarë qeveritarë, por kemi shumë më tepër punë – dhe kur them punë, flas për marrëdhëniet – me pjesën tjetër të Shqipërisë.” -citohet të ketë thënë ambasadorja amerikane në intervistëne VOA-s.
Cilët do të jenë mesazhet e ambasadores amerikane, dhe a do të mundet ta ndjekë ish kryeministri Berisha intervistën e saj, për të reaguar më pas, gjithcka mbetet për t’u zbuluar në 18:00 të kësaj të enjteje.



