Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka reaguar ndaj një njoftimi për shtimin e punëtorëve në Agjencinë për Media, duke akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Rama se revoltës qytetare po i përgjigjet me më shumë propagandë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Këlliçi pretendon se në një kohë kur kryeministri Rama përballet me “krizë totale legjitimiteti” dhe protesta qytetare, zgjidhja e zgjedhur nga qeveria është rritja e strukturave që merren me komunikimin publik.
Sipas deputetit demokrat, bëhet fjalë jo për specialistë, por për shtim të “punëtorëve të propagandës”. Ai e akuzon Agjencinë për Media se funksionon si një strukturë për “censurë, kontroll dhe shpërndarje të mesazhit” të kryeministrit, duke kundërshtuar rolin e saj zyrtar në komunikim dhe transparencë.
“Agjensia e Ramës në fakt është një drejtori censure, kontrolli dhe shpërndarje të mesazhit që i intereson Kryeministrit dhe s’ka asnjë lidhje me transparencën apo komunikimin. Edhe pse e kritikuar edhe nga organizata ndërkombëtare të medias për rolin e saj, vijon të fryhet e zmadhohet. Edi Rama nuk po e kupton se pankartat me letër A4 dhe me shkrim dore në shesh, janë kanë hedhur në tokë investimin shumë të shtrenjtë që ai bën prej vitesh në propagandë, me mediat që kontrollon e me rrjetin e opinionistëve që mban e me favoret e paratë që shpërndan”, shkruan demokrati.
Po ashtu deputeti i PD deklaron se Rama “do të përballet me drejtësinë për shumë afera e krime të rënda financiare” pasi të mos ketë më pushtetin që ka.
Postimi i plotë
Në krizë imazhi dhe legjitimiteti, Edi Rama shton punonjësit e propagandës.
Në kohën kur imazhin e ka të rrënuar, kur është në krizë totale legjitimiteti prej revoltës popullore që ka shpërthyer kudo në Shqipëri ndaj tij, Edi Rama mendon se zgjidhja është: më shumë propagandë.
Pra jo më shumë reflektim, jo më shumë tërheqje, jo më shumë pranim i dështimit, por më shumë luftë, më shumë mashtrim, më shumë deformim të realitetit, më shumë keqinformim.
Këtë e tregon njoftimi i bërë publik ku Agjensia për Media që është në rang ministrie, kërkon të shtojë organikën. Nuk bëhet fjalë këtu për specialistë, por për punëtorë të propagandës.
Këtë lajmërim e ka ndarë vetë Rama në rrjetet e tij sociale, siç nuk e ka bërë për agjensi apo zyra të tjera që ka nën varësi.
Agjensia e Ramës në fakt është një drejtori censure, kontrolli dhe shpërndarje të mesazhit që i intereson Kryeministrit dhe s’ka asnjë lidhje me transparencën apo komunikimin. Edhe pse e kritikuar edhe nga organizata ndërkombëtare të medias për rolin e saj, vijon të fryhet e zmadhohet.
Edi Rama nuk po e kupton se pankartat me letër A4 dhe me shkrim dore në shesh, janë kanë hedhur në tokë investimin shumë të shtrenjtë që ai bën prej vitesh në propagandë, me mediat që kontrollon e me rrjetin e opinionistëve që mban e me favoret e paratë që shpërndan.
Tani Ramës mund t’i hyjnë në punë vetëm avokatë të mirë.
Shpejt, kur të mos ketë më pushtetin që ka, do të përballet me drejtësinë për shumë afera e krime të rënda financiare.



