Lideri i opozitës, Sali Berisha përcolli sot një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-kryetar i Gjykatës së Vlorës intelektualit, dhe ish të burgosurit politikë të regjimit komunistë Skënder Haluci.
“Vitet e rënda të burgut jo vetëm që nuk ia kishin mekur Skënderit ëndrrën universitare, por e kishin bërë atë edhe më të fuqishme. Pas diplomimit, ai u emërua në detyra të rëndësishme në sistemin gjyqësor, deri si Kryetar i Gjykatës së Vlorës, të cilat i kreu me ndershmëri, aftësi dhe dinjitet. Mirëpo, e njëjta parti që në rini e dënoi me vdekje, e largoi nga detyra në kulmin e aftësive, përvojës dhe përkushtimit të tij” shkruan Berisha.
Nderim për Skënder Halucin
Miq, Skënder Haluci, një i mbijetuar i genocidit komunist, ish-kryetar i Gjykatës së Vlorës, bashkëshort, prind dhe qytetar shembullor, mbylli parakohe sytë përgjithmonë.
Pasardhës i një familjeje atdhetare e antikomuniste, i mekuar me vlerat dhe virtytet më të mira njerëzore, Skënder Haluci që në rini të tij të hershme për shkak të origjinës familjare u përball me përsekutimin më të egër politik: arrestimin brutal, torturat më çnjerëzore dhe dënimin kapital me vdekje, e më pas me 25 vite burg, për një krim që nuk e kishte kryer kurrë.
Pasi la 10 vite të rinisë së tij në burgjet më të zeza të diktaturës hoxhiste, ai u lirua së bashku me të burgosurit e fundit politikë të regjimit komunist. Ai u bashkua, si mijëra bashkëvuajtës të tij, me Lëvizjen Demokratike dhe dha një kontribut të çmuar në përmbysjen e diktaturës më të egër në Evropë.
Vitet e rënda të burgut jo vetëm që nuk ia kishin mekur Skënderit ëndrrën universitare, por e kishin bërë atë edhe më të fuqishme. Pas diplomimit, ai u emërua në detyra të rëndësishme në sistemin gjyqësor, deri si Kryetar i Gjykatës së Vlorës, të cilat i kreu me ndershmëri, aftësi dhe dinjitet. Mirëpo, e njëjta parti që në rini e dënoi me vdekje, e largoi nga detyra në kulmin e aftësive, përvojës dhe përkushtimit të tij.
Duke shprehur nderimin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë për kontributin e çmuar të Skënder Halucit, i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar, miqve e të afërmve. Ndaj me ta dhimbjen e thellë e zinë për njeriun e tyre të dashur dhe i lutem Zotit që shpirti i mirë i Skënder Halucit të gjejë paqen e merituar! Ngushëllime



