Pavarësisht se ka shumë ngecje, ne do ti plotësojmë kushtet e UEFA-së për organizimin e ndeshjeve futbollistike dhe “Super Kupa” evropian me siguri do të zhvillohet në Shkup, siguron sekretari i Qeverisë Dragi Rashkovski. Ai thotë se UEFA u ka dërguar një letër kritike për kushtet e stadiumit “Telekom Arena” i cili nuk ka kondicioner, nuk ka internet, nuk ka vend për mbi 25 makinat televizive të huaja, nuk ka plan evakuimi në rast nevoje, dhe nuk është e ngjyrosur as rrethoja e as hapësirat e tjera. Por këtë letër Qeveria e ka marrë me 7 ditë vonesë, pasi Federata e Futbollit të Maqedonisë nuk ia ka dorëzuar. “Këto vërejtje nuk janë qëndrime politike dhe as nuk duhet të komentohen me fjalor politik. Kjo pasi bëhet fjalë për gjëra të dukshme, teknike. Edhe ju vetë mund të dilni dhe të shihni se a ka kondicioner, a është i rregulluar vendi ku do të qëndrojnë makinat televizive dhe një sërë gjërash tjera që tashmë janë publikuar në media si detyrime që duhet ti përmbushim deri më 21 korrik, pasi më 23 korrik vjen kontrolli final i cili do të vendos përfundimish se a do të mbahet Super Kupi në Maqedoni ose jo”, ka thënë Dragi Rashkovski, sekretar gjeneral i Qeverisë.
Sekretari i Qeverisë tha se afati për plotësimin e kushteve i cili është 21 korrik do ta gjejë Stadiumin “Telekom Arena” të kompletuar, dhe më datë 23 ai do ti nënshtrohet kontrollit të UEFa-së.
Rashkovski denoncoi edhe keqpërdorime gjatë punimeve për ngjyrosjen e hapësirave ndihmëse të cilat do t’i bëjë firma “Atrium“ e vëllaut të deputetit të VMRO-së Krsto Mukovski, edhe atë për 10 euro metër katrorin.
“Për ngjyrosje të hapësirave ndihmëse që çojnë deri tek hyrja e stadiumit, Shoqata Aksionare për menaxhim me hapësirë banesore dhe afariste tashmë ka lidhur kontratë me firmën “Atrium” nga Vevçani. Rastësi ose jo, firma është e vëllait të deputetit Krsto Mukovski. Edhe atë, ngjyrosjen do ta bëjë për 10 euro për metër katror”, ka shtuar Rashkovski.
Rashkovski kërkoi llogari nga FFM-ja për këtë ngecje dhe e pyeti se kujt do t’ia ndajë biletat gratis që ia ka dhënë UEFA.
“Tani një pyetje principiele deri tek FFM-ja. Sa bileta gratis, në formë donacioni, keni marrë nga UEFA pasi kemi informata se UEFA tashmë ka siguruar biletat gratis. Ne si Qeveri do të pyesim me shkrim, por dhe ju si gazetar mund të pyesni se ku dhe si planifikon FFM-ja që t’i shpërndajë këto bileta gratis”, tha ai.
Maqedonia mori lajmin se do të jetë nikoqire e Super Kupit Evropian në maj të vitit 2015 dhe i janë dhënë korrnizat se si duhet të duket një stadium i cili duhet të përmbush standardin e paraparë nga UEFA, por për dy vite me radhë, nuk është ndërmarrë aksion për të përmbushur kërkesat e Federatës Evropiane të Futbollit.
Ferikan Iljazi /SHENJA/

