Gazetar: Igor Stefanovski
– Advertisements –
Trajko Veljanovski dhe Dragi Rashkovski do të mbrohen në liri. Për ta nuk vlen më masa e arrestit shtëpiak pasi Gjykata e Apelit në Shkup shfuqizoi të njëjtën. Ish kryetari i Parlamentit, Veljanovski ka ofruar garanci prej rreth 210 mijë euro si pronë se nuk do të arratiset, shkruan Alsat.
Nëse nuk paraqitet në gjykatë dhe nëse arratiset, shteti do t’ia konfiskojë shtëpinë, garazhin dhe tokën që e jep nën hipotekë shtetërore. Apeli ka dhënë arsyetim se përse e ka liruar Veljanovskin.
“Garancia paraqet siguri të mjaftueshme dhe e largon rrezikun për arratisjen e të akuzuarit”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit- Shkup.
Gjykata Penale në korrik të vitit të kaluar Veljanovskin e dënoi me 6 vjet e gjysmë burg për organizimin e ngjarjeve të përgjakshme në Kuvend më 27 prill të vitit 2017. Pas vendimit, Veljanovskit iu caktua arresti shtëpiak deri në plotfuqishmërinë e vendimit.
Ish sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski i cili gjithashtu doli nga arresti shtëpiak, këto ditë ishte në fokus të opinionit me deklaratën se ka blerë pronë me paratë që fëmijët i kanë fituar për ditëlindje dhe petulla kur kanë lindur. Ai ka ofruar garanci prej rreth 193 mijë euro si pronë se nuk do të arratiset. Ai ngarkohet për larje parash dhe keqpërdorim të pozitës me blerjen e softuerëve që vet i ka krijuar, gjoja për nevojat e MPB-së për siguri trafiku. Sipas akuzës, Rashkovski ka dëmtuar buxhetin me rreth 300 mijë euro. Përveç për këtë rast, ai akuzohet edhe se ka angazhuar bashkëpunëtorë në Qeveri kurse një pjesë të honorarëve të tyre i ka mbajtur për vete.
Një muaj më parë u liruan nga burgu edhe biznesmeni Orce Kamçev dhe ish drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov. Për heqjen e masës së paraburgimit, ata ofruan garanci prej rreth 11 milionë euro. Më pas Alsat njoftoi se garancia e Mijallkovit tashmë ishte hipotekuar në një bankë dhe e njëjta është planifikuar të ngrihet në hetim. Në rastin e paraburgimit, banka i dha përparësi shtetit për ta marrë hipotekën në rast se Mijallkov do të arratisej.
“Do të qëndroni në Shkup?
“Nuk arratisem…kështu që, mirupafshim”, u përgjigj shkurt Sasho Mijallkov- i akuzuar. /Alsat.mk



