Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), të shtunën nuk ka arritur të shterojë debatin për llogaridhënien e ministrave të kësaj partie në ekzekutiv. Ndonëse ministrat e BDI-së, përveç Bujar Osmanit, për disa orë raportuan në parti, në fund nuk pati asnjë epilog dhe u vendos që mbledhja të vazhdoj më 19 nëntor.
Burime brenda BDI-së i thanë gazetës Lajm se, nënkryetari Izet Mexhiti, sekretari organizativ Blerim Bexheti, anëtari i Këshillit mbikëqyrës, Musa Xhaferi, kryetari i forumit rinor, Avni Rustemi, Nevzad Bejta, Florim Ramadani dhe funksionarë tjerë partiak kanë kritikuar ashpër punën e ministrave të BDI-së dhe nuk kanë miratuar raportin e ministrave të kësaj partie.
Në shenjëstër të kritikave ka qenë zv.kryeministri i parë Artan Grubi. Veç kritikave të shumta, të pakënaqurit kanë kritikuar ministrat e BDI-së edhe për mospërdorimin e gjuhës shqipe gjatë mbajtjes së seancave qeveritare.
Ndërkohë, ka dështuar edhe “redaktimi” i raportit të ministrave, që siç e paralajmëroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti do të bëhej nga tre zyrtarë të lartë, sekretari i përgjithshëm Faton Ahmeti, nënkryetari Izet Mexhiti dhe zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi. Një mbledhje e caktuar për këtë qëllim pasditen e së dielës, është anuluar.
Ndërkaq, edhepse kryetari i partisë Ali Ahmeti, pas takimit të kryesisë deklaroi se në mbledhje nuk është diskutuar për shkarkimin ose ndryshimin e ministrave, pjesëtarët e “grupit të zjarrit” para fillimit të mbledhjes publikisht folën për pakënaqësitë e tyre nga puna e ministrave të BDI-së dhe thanë se nuk heqin dorë nga kërkesa për shkarkimin e tyre.