Rekomandimi pozitiv për hapjen e negociatave të Shqipërisë nuk është më surprizë. Çfarë mbetet e paqartë është gjuha që ka përdorur Brukseli për të shprehur kushtëzimin që Shqipëria duhet të përmbushë.
Por kushti i të gjitha kushteve është reforma në drejtësi dhe siç mëson Top Channel zbatimi i saj do të kërkohet të jetë i prekshëm dhe i besueshëm.
Por, megjithëse pjesa e rekomandimit kushtëzohet edhe me prioritete të tjera dhe mbahet ende nën embargo, Top Channel ka mësuar se raporti i këtij viti është pozitiv.
Janë dy fraza që gjenden në pothuajse 90 faqe të raport, “progres i vazhdueshëm” dhe “progres vendimtar” dhe që shprehin ecurinë në 90 për qind të fushave të marra në shqyrtim.
Ato janë 45 dhe në rreth 40 prej tyre vihet re progres i niveleve të ndryshme. Këtu përfshihet edhe lufta kundër krimit të organizuar, veçanërisht lufta kundër kanabisit.
Komisioni Europian ka vlerësuar gjetjet e Guardia di Finanza se policia shqiptare ka bashkëpunuar për çdo rast të lajmëruar për mbjelljen e kanabisit.
Në raport nuk ka asnjë çështje për të cilën thuhet se ka hapa mbrapa, por dy prej çështjeve që nuk kanë ndryshim është liria e shprehjes dhe prokurimi publik.
Komisioni Europian vëren progres edhe në zbatimin e ligjit të dekriminalizimit me largimin nga Parlamenti të personave me të kaluar kriminale, si dhe sheh progres në luftën kundër korrupsionit.
Megjithatë theksohet se Brukseli kërkon të shohë rezultate konkrete në hetimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve të lartë. Raporti rendit si kërkesë kryesore realizimin e reformës zgjedhore dhe shpreh shqetësimin për politizimin e komisioneve zgjedhore.
Ky përshkruhet si raporti me pozitiv që ka bërë ndonjëherë Brukseli për Shqipërinë, por sërish kushtet mbeten. Dhe një rikonfirmim të tyre pritet ta bëjnë në dhjetor vendet anëtare.
Deri atëherë duhet të jetë publikuar edhe opinioni i Komisionit të Venecias për ligjin e Vetting-ut, i cili shënohet nga Brukseli si themeli i reformës në drejtësi, kryekushti për hapjen e negociatave./TCH