Qeveria do të shqyrtojë elaboratet e grupit punues të Ministrisë së Kulturës për përmendoret e “Shkupit 2014”, të cilat dyshohet se janë ngritur në mënyrë joligjore. Largimi i përmendoreve siç është ajo e “Aleksandrit” në shesh të kryeqytetit, do të përmirësonte marrëdhëniet me shtetin e Greqisë, e cila gjatë kohë e ka akuzuar Maqedoninë për “Irredentizëm”, thotë analisti Ismet Ramadani. Sipas tij, Qeveria gradualisht po heq dorë nga historia, me qëllim të përmirësimit të dialogut me Greqinë e cila është rruga e vetme drejt proceseve euro-atlantike. Por Ramadani thotë se Qeveria tregon kujdes të shtuar në informim të opinionit për hapat drejt tërheqjes nga historia irrituese për Greqinë fqinje.
Dhe këtu si simbol kryesorë i krejt kësaj mitologjie apo historie është “Aleksandri i Madh”. Duhet të fillojë tërheqja graduale, me kujdes gjatë bisedimeve, në mënyrë që të përgatitet edhe opinioni këtu në Maqedoni, se definitivisht është shumë më rëndësishme që Maqedonia të anëtarësohet në NATO dhe në BE se sa të merret edhe më tutje me mitologji dhe histori – deklaroi Ismet Ramadani, Këshilli Euro-atlantik.
Gazetarja e rrjetit hulumtues BIRN, Meri Mlladenovska thotë se Qeveria duhet të jetë transparente me qëllimet dhe shpenzimet që do të bëj gjatë revizionit të projektit të Shkupit 2014.
Mendoj se Qeveria në këtë pjesë duhet që të jetë shumë transparente e jo ashtu siç është ndërtuar projekti “Shkupi 2014”, në mënyrë plotësisht jo transparente. BIRN ka punuar thuajse 1 vit që t’i afrohemi shumës parave të shpenzuara për këtë projekt. Qeveria e re duhet ta bëj të kundërtën, duhet që të jetë plotësisht transparente në këtë proces që të mos vjen puna përsëri deri te “Anti-Shkupi 2014 – u shpreh Meri Mlladenovska, Gazetare e BIRN.
Pas rrethit të dytë të zgjedhjeve, institucionet shtetërore kanë intensifikuar takimet me palën Greke, me qëllim të zgjidhjes së kontesteve ndërshtetërore. VMRO-DPMNE-ja thotë se Qeveria e Zoran Zaevit po shkatërron historinë me prishjen e përmendoreve që përfaqësojnë etnitete të ndryshme. Sipas tyre, me kthimin eventual në Qeveri, do të ndërtojnë të gjitha përmendoret që do i largojë Qeveria aktuale.