Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga Bullgaria nuk ngurroi t’i bëjë thirrje Serbisë të njohë pavarësinë e Kosovës.
Kreu i qeverisë tha se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për të zgjidhur çështjet që prej vitesh i mundojnë. Sipas Ramës, këtë gjë duhet ta bëjnë vetë shtetet, pa ndërhyrjen e askujt. Megjithatë, ai ofroi ndihmën e Shqipërisë në çdo rast nevoje.
“Duhet ta kishte njohur Kosovën shumë kohë më parë dhe çdo ditë që kalon është një ditë më tepër që vonon atë që është gjëja e duhur për t’u bërë. Shpresoj që nëpërmjet dialogut dhe interesave të ndërsjellë, njohja do të vijë më herë sesa vonë. Qëndrimi ynë është që askush nuk duhet që të na ketë zili. Jemi mbërthyer mes dy miqve. Por gjërat janë kështu dhe procesi është i ndërtuar në mënyrë të tillë. Nuk jemi për të mbajtur anë, por shpresojmë që të dyja vendet të flasin dhe ta zgjidhin mes tyre. Nëse është nevoja, jemi gati të ndihmojmë, por ndihma jonë është të vazhdojmë të themi: Ju lutem flisni dhe gjeni një mënyrë sepse këto çështje mund të bëhen gjithmonë e më të komplikuara. Sigurisht që BE po bën punë të jashtëzakonshme, të gjithë po mbështesin, por u takon atyre që të dalin së bashku nga ajo situatë.”



