
Edi Rama ka ftuar përsëri krerët e partive politike shqiptare në Maqedoni për një tentativë të dytë që ti ulë në një tavolinë. Liderët janë takuar me Ramën veç e veç dhe më pas do të tentohet të arrihet ndonjë pikë e përbashkët në drejtim të unifikimit të tyre. Nuk dihet nëse Rama ju ka ofruar ndonjë zgjidhje konkrete ose dokument konkret bashkëpunimi të cilin liderët duhet ta nënshkruajnë apo vetëm do të bisedohet në drejtim të bashkimit të tyre joformal.
Nga Lëvizja Besa thonë se ata kanë pranuar ftesën e Ramës për shkak të respektit që kanë ndaj tij, por se nuk lëvizin nga parimet dhe pikat e tyre të publikuara ditë më parë se nuk do të bëjnë koalicion me njerëz të inkriminuar edhe nëse kjo është çmim që ata mos të hyjnë në Qeveri.
“Arsyet e takimit nuk i dijmë saktësisht, sigurisht është për punën e rrjedhave të reja në Maqedoni. Sidoqoftë ne jemi të hapur për koordinim, për takime, sidomos me përfaqësues të shtetit shqiptar, me përfaqësues dhe lidershipin e shtetit të Kosovës, natyrisht për shkak se jemi një komb. Dhe këto takime për neve janë të mira, ne duam të jemi na kontakt me ata, por natyrisht nëse është diçka që ka të bëjë me bisedimet që kanë të bëjnë me formimin e qeverisë, ne jemi marrë vesh në kryesinë e Lëvizjes BESA, që gjithçka të kalojë nëpër organet e partisë, gjithçka do të vendoset në bazë të parimeve që i kemi vendosur ne dhe mendoj se ato parime të cilat I kemi vendosur ne, janë në interes të shqiptarëve dhe nuk bien ndesh me atë që paraprakisht kur kemi pasur takim me kryeministrin Edi Rama”, ka deklaruar Afrim Gashi, deputet i Lëvizjes Besa.
Menjëherë pas zgjedhjeve kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i ftoi liderët politik shqiptar të Maqedonisë në takime veç e veç por nuk arriti ti bashkojë liderët në një tavolinë. Tani është tentativa e dytë për ti ulur në një tavolinë kryetarët e partive shqiptare me ndërmjetësim të kryeministrit të Shqipërisë.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
Rama sërish fton liderët e partive shqiptare në… by tvshenjaofficial