Varfëria rurale është problem shumë serioz për vendin. Ky ishte një nga konkluzionet e analizës shumë dimensionale të përgatitur nga Federata e Fermerëve (FFRM) dhe Platforma e Maqedonisë kundër varfërisë dhe të prezantuar sot ( e martë).
Maqedonia karakterizohet nga rajoni rural dhe atë 87 % në të cilin jeton 45% e popullsisë së përgjithshme, në 21 për qind të numrit të përgjithshëm të fshatrave jetojnë më pak se 50 banorë, në 104 fshatra ka nga maksimum 10 banorë, ndërsa migrimi i brendshëm arrin 34 për qind, shkruan Almakos.
“Rajonet rurale kanë pësuar shkretim, depopulim, për shkak të migrimit të brendshëm i cili është rreth 34 për qind. Kjo do të thotë se 34 për qind e popullatës rurale është zhvendosur në qendrat urbane. Nëse shtohet edhe migrimi i jashtëm, ai është serioz, problem i madh jo vetëm për mjediset rurale, por edhe për shtetin në përgjithësi”– theksoi profesoresha Emel Tuna, një prej autoreve të analizës.
Sipas profesores Emel Tuna, gjendja e bujqësisë është faktor shumë i rëndësishëm, i cili ndikon në varfërinë rurale, pasi që është veprimtari primare e një pjesë të madhe të popullatës.
“Rreth 77 për qind e popullatës rurale e cila merret me bujqësi i takon kategorisë ‘punë e papaguar’ që është akoma më e dukshme tek gruaja rurale dhe zyrtarisht është joaktive ose, siç tregon hulumtimi, 63 për qind e grave rurale janë joaktive, nuk kanë qasje në edukim, shumë pak janë të punësuara, ndërsa nëse janë të punësuara fitojnë gjysmën e pagës që do ta merrte një burrë. Gratë rurale njëherësh janë të privuara nga e drejta e pronës dhe çfarë është më e çuditshme, akoma, në kushte të sotme, nuk janë të vetëdijshme se janë të diskriminuara në mënyrë tradicionale”- theksoi Tuna.
Biljana Petrovska nga FFRM dhe gjithashtu një prej autorëve të analizës nënvizoi se gjatë krijimit të politikave, duhet të involvohen edhe më shumë institucione, jo vetëm Ministria e Bujqësisë, por edhe ministria e Punës dhe Politikës Sociale, e Ekonomisë.
Në analizë qëndron se Maqedonia është një prej vendeve më të varfra në Evropë.
Hulumtimi i FFRM-së bazohet në të dhënat e Entit Shtetërorë për Statistika, Bankës Botërore, Komisionit Evropian, Freedom House, Transparency International, UNDP-së , Qendrës për Hulumtim dhe Krijim të Politikave. /Almakos.com/
Evi Shkopi
Almakos.com