Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar në lidhje me thirrjet që ajo i konsideroi ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve në një ndeshje basketbolli mbrëmë në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut.
Kjo ngjarje, sipas saj, është e papranueshme dhe është një kujtesë se “rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë”.
“Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit”.
“Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik”, u shpreh Spiropali, raporton Klankosova.tv.
Sipas kreut të legjislativit në Shqipëri, bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën evropiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit.
“Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje”, deklaroi kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali.
Mbrëmë në ndeshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës në Basketboll 2027, nga tribunat pati thirrje me gjuhë të urrejtëse, raciste dhe ksenofobe antishqiptare.
Në thirrjet e tifozëve dëgjohet të thuhet: “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”.
Përgjatë zhvillimit të ndeshjes, u dëgjuan edhe thirrje të tjera skandaloze dhe nxitëse të urrejtjes etnike, si parulla famëkeqe “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma të gazit për shqiptarët”, që përkujtojnë retorikën më të errët të historisë evropiane.
Për këto zhvillime kanë reaguar sfera politike shqiptare në Maqedoni të Veriut, duke kërkuar dënimin e rastit nga institucionet shtetërore. /Klankosova.tv