Qytetarët e Shkupit për çdo ditë po përballen me problemin dhe frikën se mos kafshohen nga qentë endacak që janë gjithandej nëpër qytet. Nga Qyteti i Shkupit thonë se janë në dijeni për problemin me qentë endacak dhe se aktivisht po punojnë në zgjedhje të këtij problemi, ata shtojnë se janë duke punuar edhe në drejtim të projektit për regjistrim të qenve, proces që sipas tyre do ti lehtësojë punën institucionit.
“Fatkeqësisht për tu zgjedh ky problem, angazhimi afatgjatë është i pashmangshëm. Qyteti i Shkupit këtë vit në buxhetin e vet ka ndarë 10 milion denarë shtesë për rinovim të stacionarit “Vardarishte” ku synojmë të implementojmë trajtim më human për qent endacak. Principi në të cilin punojmë është princip botërorë ku qentë endacak kapen, sterilizohen, mbahen në stacionare për një kohë me qëllim që të shërohen dhe pastaj lëshohen ne liri”, deklaron Valon Salihu, zëdhënës i qytetit të Shkupit.
Salihu thotë se për të pasur rezultate më efikase në trajtimin e këtij problemi i pashmangshëm është edhe bashkëpunimi nga vetë qytetaret.
“Do i kishim lutur qytetarët që qentë e egër, endacak të cilët i hasin në rrugë t’i paraqesin në numrin kujdestar të “Higjienës Komunale Shkup”, shtoi Salihu.
Nga ana tjetër, Anima Mundi, shoqatë për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve kanë një plan për zvogëlimin e numrit të kafshëve të pastrehë.
“Projekti Kap-Sterilizo-Kthe. Vetëm me sterilizim, tredhje dhe kthim në vendin nga ku është marrë qeni, do të zvogëlohet numri I kafshëve të pastreha”, thonë nga Anima Mundi për Almakos.
Qytetarët e anketuar nga Almakos, thonë se institucionet duhet tua gjejnë vendin qenve sepse përveç rrezikut që shfaqin ata edhe keqtrajtohen nga njerëzit.
“Institucionet duhet të angazhohen, ata (qentë) nuk dinë, organet duhet tu gjejnë vendstrehim”, tha një qytetar.
“Qyteti Shkupit duhet të bëj aksione më të shpeshta, qentë duhet të largohen nga sheshi i Shkupit, por jo të dërgohen nëpër vendbanime tjera, atyre duhet tu gjendet një zgjidhje afatgjate”, tha një i moshuar.
“Ata, janë të rrezikshëm, nuk e dimë a janë të vaksinuar. Ne nëpër qendër shëtisim me fëmijë, ata nëpërmes kafshimit mund të na i infektojnë edhe fëmijët”, tha një qytetare e cila po bënte gjiro me fëmijën e saj në sheshin Maqedonia.
Ndërsa dit më parë në media u raportua se gjatë tre muajve që lamë pas, qentë endacak kanë kafshuar rreth 123 persona. Kurse kundër Qytetit të Shkupit gjatë dy viteve të kaluara në bazë të kompensimit të dëmit për shkak të kafshimit nga qeni, janë parashtruar 69 padi. Nëse rasti i kafshimit paraqitet në gjykatë, praktika tregon se qytetari për dhimbjet fizike mund të marrë dëmshpërblim 35.000 denarë, për frikën 30.000 denarë, për dhimbjet shpirtërore 20.000 denarë dhe për shëmtim prej 5.000 denarë, apo kjo shumë gjithsej kap vlerën prej 90.000 denarë.
Mevludin Imeri
Almakos.com