Projekti për ndërtimin e kanalizimit të ri atmosferik në bulevardin “Xhon Kenedi”, dhe riparimin e rrugëve të Komunës së Çairit, filloi në qershor të këtij viti, projekt ky që sipas kryetarit të Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski do të zgjaste tre muaj, por punimet për të njejtën ende po zvarriten.
Për momentin punimet janë ndërprerë plotësisht dhe qytetarët thonë se kjo ju shkakton shumë pengesë, por sipas tyre nuk është diçka e re sepse ashtu ndodh gjithmonë, punimet fillojnë gjatë fushatës, ndërsa pas zgjedhjeve mbeten të papërfunduara. Qytetarët shtojnë se vazhdimi i këtij projekti do të bëhet gjatë zgjedhjeve lokale.
Qytetar:
”Me pengu sigurisht që na pengojnë, u bë afër një vit që punojnë, ashtu siç punojnë besoj do të mbarojnë vitin e ardhshëm. Ndoshta do të ketë zgjedhje dhe do të mbarojnë atëherë”, tha një qytetar.
“S’ka për të përfunduar sivjet fare…Ashtu ka qenë gjithmonë dhe do të jetë Maqedonia, derisa nuk formohet një qeveri stabile. Gjithmonë në Maqedoni kështu ka qenë, para fushatës gërryejnë në rrugë, ndërsa mandej, e lënë, ta shohim si do të përfundojnë”, tha një qytetar.
Të njëjtën e thanë qytetarët për Televizionin Shenja kohë më parë, kur dhe duhej të përfundonin punimet, ashtu siç ishte e paraparë në projekt, se punohet vetëm kur ju duhet partive politike për fushatë, ashtu edhe ndodhi, tani me përfundimin e procesit zgjedhor, janë ndërprerë edhe punimet për rikonstruktim të këtyre rrugëve.
“U pengon nxënësve, u pengon të gjithëve, por sigurisht duhet ti presim zgjedhjet, para zgjedhjeve do ta bëjnë më siguri…kur të ju duhet partive politike për zgjedhje, atëherë do ta bëjnë”, kishte deklaruar një qytetar.
“Sikur që e shihni vet, rruga është e premtuar nga ana e qeveritarëve, ka kohë të gjatë që kanë filluar, ja ku kanë ngelur, ende nuk është askund, besoj që do të përfundojnë kur të afrohen zgjedhjet”, kishte deklaruar një qytetar tjetër.
Për këtë projekt qyteti i Shkupit ka investuar 23 milionë denarë.