Kjo është një ditë e zakonshme për të gjithë vozitësit që frekuentojnë rrugët e komunës së Çairit pas reshjeve të borës. Në momentin kur janë regjistruar këto pamje, termometri tregonte temperatura pozitive, pas çka edhe mbetjet e borës janë shkrirë duke i mbushur kështu të gjitha gropat e hapura që ndodhen në rrugët e Çairit. Megjithatë, këto temperatura gjatë mbrëmjes ulen nën zero, dhe e gjithë kjo lagështi kalon në një tjetër gjendje agregate, pra shndërrohet në akull, gjë që e pamundëson qarkullimin e lirshëm të veturave. Derisa meteorologët parashikojnë reshje të reja të borës dhe temperatura të ulëta për javën që pason, shtohet akoma më shumë frika e banorëve që jetojnë nëpër lagjet Serava, Gazi Babë, Dizhon dhe të gjitha lagjet tjera në rrethinë. Një tjetër shqetësim i banorëve të këtyre lagjeve është edhe kalimi si këmbësorë nëpër këto rrugë, ata ditën kur temperaturat janë pak më të larta ballafaqohen me ujin që është mbledhur nga shkrirja e mbetjes së borës, ndërsa gjatë natës për shkak të uljes së temperaturave ballafaqohen me ngricat që i kaplojnë këto rrugë.
Qytetarët e anketuar nga televizioni Shenja, shprehen të shqetësuar që askush nuk ndërmerr masa për pastrimin e rrugëve, gjë që i vë në rrezik lëvizjet e tyre, duke i bërë ata që të mos dalin jashtë shtëpive të tyre kur rrugët janë me ngrica me qëllim që mos të pësojnë me ndonjë thyerje të gjymtyrëve.
Televizioni Shenja, gjatë gjithë kohës iu ka sjellur pamje nga dimensione të ndryshme të rrugëve të Çairit. Banorët e kësaj rrethine gjithmonë janë ballafaquar me probleme të llojeve të ndryshme, duke bërë kështu që secili ndryshim atmosferik t’i gjejë autoritetet përgjegjëse të kësaj rrethine, si më të papërgatiturit.
Ajnur Bafqari /SHENJA/