Alsat 2019-10-25T15:26:36+02:00
Pagesa për ngrohje qendrore që nuk shfrytëzohet ka revoltuar qytetarët, pasi siç thonë po përballen me procedura të shumta, ndoshta edhe të qëllimshme nga ndërmarrja për të pamundësuar shkyçjen nga sistemi i ngrohjes. Përmes një rregulloreje nga ligji për energjetikë është vendosur të gjitha amvisëritë që nuk shfrytëzojnë ngrohjen të mos paguajnë paushallin që arrinte edhe deri në 1200 denarë në muaj. Qytetarët e anketuar nga Alsat thonë se përkundër miratimit të kësaj rregulloreje dhe premtimeve të shumta nga qeveria se do të lirohen nga pagesa, ata po përballem me probleme për të arritur këtë të drejtë.
“Ka procedurë, ende nuk e kam përfunduar. Nuk paguaj më asgjë. Nuk bëhet fjalë për shuma të mëdha parash. Duhet dokumente, madje edhe të noteri duhet të shkohet. Procedurë e gjatë është. Ajo që ata kërkojnë është e tepërt.
“Nëse nuk e shfrytëzon, të paguaj, nuk është e logjikshme. Ajo nuk është mirë. Të mos e shfrytëzosh diçka të cilën e paguan. Këtë dua ta them. As ajo nuk është mirë. Derisa sa kam shfrytëzuar edhe kam paguar. Tani nuk kanë çfarë më kërkojnë më dokumente plotësuese”.
“Të them të drejtën nga nxehja nuk jemi të kënaqur. Kur të ju kujtohet e lëshojnë, kur të ju kujtohet e ndalojnë”.
Nga Komisioni Rregullatorë i Energjetikës thonë se deri tani 9 mijë familje i kanë prishur marrëveshjet për ngrohje duke mohuar akuzat që u bëhen për stërzgjatje të procedurave. Sipas drejtorit të KRE-së Marko Bislimovski, qytetarët të cilët dëshirojnë të prishin marrëveshjen për ngrohjen qendrore, duhet të posedojnë 6 fatura të fundit të energjisë elektrike, flet pronësi për banesën dhe kopje të letërnjoftimit. Në vitin 2017, Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 66, për furnizimin me energji termike, të sjella nga Komisioni rregullator për energjetikë, me të cilin u vendos obligim që qytetarët të cilët nuk e shfrytëzojnë ngrohjen të paguajnë kompensim. Afër 12 mijë amvisëri që aso kohe kanë qenë të shkyçura nga sistemi për furnizimin me energji ngrohëse çdo muaj kanë paguar paushallë në varësi prej sipërfaqes së banesës, për shërbim që nuk e kanë shfrytëzuar. Problemi me ngrohjen vazhdon të irritojë qytetarët pavarësisht se me vendim të qeverisë nëpër kalorifer u vendosën edhe kalorimetra me qëllim që ata që nuk e shfrytëzojnë ngrohjen të mos paguajnë.
Besian Leka
Loading…


