Koordinatori i VLEN-it, Bekim Qoku, ka reaguar pas zhvillimeve politike në Hungari, duke e cilësuar humbjen e Viktor Orbán si një lajm pozitiv për demokracinë në Evropë.
Sipas Qokut, ky rezultat dëshmon se edhe regjimet që duken të konsoliduara mund të sfidohen dhe të mposhten përmes vullnetit të qytetarëve, duke i dhënë një shtysë të re forcave progresiste në Bashkimi Evropian dhe më gjerë në kontinent.
Në vijim deklarata e plotë nga Qoku për Almakos:
Humbja e Viktor Orbanit në Hungari është një lajm i mirë për demokracinë dhe për forcat progresiste në Bashkimin Evropian dhe në Evropë në tërësi. Ajo dëshmon se edhe regjimet që duken të konsoliduara mund të sfidohen dhe të mposhten përmes vullnetit qytetar.
Njëkohësisht, ky është një lajm i keq për regjimet autoritare, të cilat gjithnjë e më shumë funksionojnë në bazë të solidaritetit të ndërsjellë, përtej dallimeve ideologjike.
Rasti i Orbanit tregon qartë se gjeopolitika e sotme nuk udhëhiqet më nga doktrinat klasike, por nga një rrjet mbështetjesh mes liderësh me prirje autoritare që duan me çdo kusht të qëndrojnë në pushtet. Kjo shpjegon paradoksin se Orban gëzonte mbështetje si nga Donald Trump, ashtu edhe nga Vladimir Putini, lideri i shtetit historikisht armik i Amerikës.
Në të njëjtën linjë, ai ka gjetur përkrahje edhe nga liderë rajonalë si Aleksandar Vuçiq.
Sidoqoftë, këto zgjedhje na japin një rikujtim të fortë se demokracia nuk është e garantuar, por ajo kërkon angazhim, punë, qëndresë dhe përgjegjësi të vazhdueshme. Në këtë kontekst diaspora hungareze ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm.
Pozitivitetin e diasporës duhet ta përdorim patjetër edhe ne këtu në Maqedoninë e Veriut.


