Në vend nuk ka asnjë zjarr aktiv deri në orën 07:00 të mëngjesit, njoftoi Qendra për Menaxhimin e Krizave (CUK). Sipas institucionit, janë shuar të gjitha 16 zjarret që ishin regjistruar në hapësira të hapura në 10 komuna.
Sipas CUK-ut, në komunën e Prilepit është ndërhyrë për shuarjen e dy zjarreve. Njëri kishte përfshirë vegjetacion të ulët, shkurre dhe lajthi në zonën poshtë repetitorit të MRT-së dhe Manastirit Treskavec, ndërsa tjetri kishte përfshirë vegjetacion të ulët në lokalitetin Zagrad – rruga për Desovë.
Në fshatin Buçim të komunës së Radovishit u përfshinë nga zjarri një rimorkio traktori, balotë kashte dhe një tharëse duhani. Në Gostivar u dogjën sipërfaqe me vegjetacion të ulët në rrugën “Boge Veljanoski”, si dhe pemë në rrugën “Balindolska”, ndërsa në Kumanovë u dogj mbeturina në rrugën “Revolucioni i Tetorit”.
Në komunën e Sarajit zjarret përfshinë një arë me kashtë në Gorno Svillarë, pyll të përzier në Radushë dhe mbeturina pranë pikës së pagesës në Gllumovë. Zjarre pati edhe në komunën e Dollnenit, ku u dogj vegjetacion i ulët në fshatin Bellopojë, si dhe në komunën e Vallandovës, ku u përfshi një arë me kashtë në fshatin Brajkovc.
Ndërhyrje u realizuan edhe në komunën e Velesit, në lokalitetin Durutovec, ku u dogj vegjetacion i ulët, shkurre dhe pyll i degraduar, si dhe përgjatë aksit rrugor Shkup–Veles, ku u përfshi vegjetacion i ulët.
Po ashtu, zjarr pati edhe në Tetovë, në rrugën “Vonvardarska”, në komunën e Gazi Babës, në fshatin Jurumler, ku u dogjën mbeturina, si dhe në fshatin Orizar të komunës së Manastirit, ku u përfshi vegjetacion i ulët, njoftoi Qendra për Menaxhimin e Krizave.



