Banorja e Rrjollit dhe aktivistja Luçiana Kokaj, tha sot nga sheshi i protestës se diaspora shqiptare ka protestuar në Holandë dhe ka kërkuar ndihmën e qeverisë atje që të bëjë transparente projektet e dyshimta të qeverisë shqiptare.
Ajo tha se ata janë mbledhur për të mbrojtur tokat në zonën e Rrjollit, duke ngritur shqetësime për projektet që, sipas saj, po zhvillohen pa transparencë.
Kokaj tha se një ish-drejtor i Hipotekave disponon mbi 1200 hektarë tokë në Rrjoll dhe se, sipas saj, banorët nuk kanë informacion të plotë për këtë çështje.
Ajo falënderoi diasporën shqiptare në Holandë, e cila, sipas saj, ka zhvilluar protesta pranë Ministrisë së Financave për një projekt që po financohet në Shqipëri.
”Jam këtu për të mbrojtur tokat e Rrjollit. Ish-drejtori i Hipotekave disponon mbi 1200 ha tokë në Rrjoll dhe nuk di asgjë për të. Kam një mirënjohje për diasporën në Holandë që kanë bërë protestë para ministrisë së Financave për një projekt që po financohet në Shqipëri. Më lejoni që të tregoj letrën që diaspora në Holandë i ka dërguar ministrisë së Financave në Holandë, ku i njofton me protestat masive në vend”, tha ajo mes të tjerash.
Kokaj lexoi edhe pjesë nga një letër e dërguar nga diaspora në Holandë drejt autoriteteve holandeze, ku kërkohet shqyrtimi i projektit dhe transparencë mbi investimet. Sipas Kokajt, pritet një reagim nga autoritetet holandeze lidhur me kompanitë holandeze që planifikojnë të investojnë në Shqipëri, me qëllim garantimin e transparencës.
“I kërkojmë qeverisë holandeze që të shqyrtojë projektin, jo të hyjë në politikat shqiptare”, thuhet në letër.
Dhe më tej theksohet se:
“Presim që shteti holandez të reagojë, për kompanitë holandeze që do të investojnë në Shqipëri, që të bëhet transparencë. Më vjen keq që nuk e kemi këtë mundësi në Shqipëri që qeveria të bëjë transparencë me projektet. Ndaj kërkojmë dorëheqje!.



