Qeveria po e shtynë përpara legalizimin e mariuhanës

Qeveria po e shtynë përpara legalizimin e mariuhanës

Dalëngadalë Qeveria po e shtynë përpara procesin e legalizimit të kanabisit. U miratua teksti i Propozim-ligjit për kontrollin e narkotikëve dhe substancave psikotrope. Nga Qeveria thonë se ky propozim ligj do të sigurojë kontroll më të mirë të barnave narkotike. Zëdhënësi i Qeverisë Dushko Arsovski njoftoi se kompanitë me licencë për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore do të paguajnë tarifë prej 10% e cila do tu dedikohet projekteve me interes publik.

“Informojmë se qeveria në mbledhjen e fundit e përcaktoi tekstin e Propozim ligjit për kontroll të lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope, eksportet e luleve të thata të kanabisit për qëllime medicinale tanimë ka filluar, por tani me propozim draftin ligjor, në mënyrë precize po rregullohet eksporti, futet një tarifë e re shtesë prej 10% nga të ardhurat e sasisë së prodhimit, para të cilat do të shkojnë në fond special. Qëllimi është që qytetarët të shohin publikisht, do të mbështetet fondi për sëmundje të rralla, fondi për media dhe produksioneve me karakter publik si dhe prioritet do të kenë programet sportive, kultura dhe shoqëria civile”, deklaroi Dushko Arsovski, zëdhënës i Qeverisë.

Reaguan nga VMRO-DPMNE. Antonio Milloshoski këtë propozim ligj e quan skandal të qeverisë. Sipas tij Zaev dhe Ahmeti duke përdorur flamurin Evropian po sjellin ligje për përfitime personale.

“Ne konsiderojmë se ky është një akt skandaloz me të cilin flamuri evropian abuzohet shumë herë për tema që nuk kanë ndonjë rregullativë të unifikuar në Bashkimin Evropian. Zaev dhe Ahmeti i kanë gënjyer qytetarët për katër vjet se ata do ta bëjnë vendin një Maqedoni evropiane me këtë propozim ligj për trafikun e drogës për ta bërë Maqedoninë një Kolumbi në Evropë, një vend ku trafiku i drogës, ashtu siç bëri kreu i Ministrisë së Brendshme në Prilep, do të bëhet një biznes i ligjshëm i familjes Zaev dhe partnerëve të tij të koalicionit. Pse ky ligj është skandaloz, jo vetëm për shkak të flamurit evropian, por për shkak se kryeministri privatizoi qeverinë për të miratuar ligje për fitime të biznesit familjar”, tha Milloshoski.

Nga qeveria pohojnë se me propozim ligjin për kontrollin e barnave narkotike dhe substancave psikotrope mundësohet eksporti i luleve të thata të marra nga rritja e kanabisit për qëllime mjekësore. Në këtë mënyrë personave juridik që kultivojnë kanabisin u mundësohet që sasitë e prodhuara tashmë të produkteve të thata bimore si lëndë narkotike t’i shesin në tregjet në Evropë dhe më gjerë, duke respektuar konventat ndërkombëtare dhe legjislacionin evropian që rregullon çështjen./TV21