Alsat 2019-10-02T16:03:39+02:00
Në seancën e rregullt të Qeverisë që duhet të fillojë në këto momente pritet të debatohet edhe për problemin e Idrizovës, siç ka paralajmëruar tashmë disa herë ministri I Arsimit, Arbër Ademi. Respektivisht, në këtë seancë duhet të shqyrtohet mundësia e hapjes së paraleleles për klasën e gjashtë me mësim në gjuhën shqipe në shkollën fillore “Njegosh” në lagjen Jurumleri, një kërkesë e kahmotshme e banorëve shqiptarë të Idrizovës. Këta të fundit kërkojnë që fëmijët e tyre në shkollën në fjalë të mësojnë deri në klasën e nëntë dhe jo deri në të pestën, siç është për momentin. Komuna e Gazi Babës, fillimisht iu përgjigj negativisht kërkesës së prindërve me arsyetimin se nuk ka vend për paralele shtesë në shkollën “Njegosh”, ndërkohë që më pas propozoi ndërtimin e një shkolle krejtësisht të re në fshatin Idrizovë ku do të mësonin të gjithë nxënësit shqiptarë nga klasa e parë deri në të nëntën. Mirëpo, ky propozim nuk u mirëprit nga banorët maqedonas të Idrizovës të cilët kundërshtojnë ndërtimin e një shkolle të posaçme vetëm për nxënësit shqiptarë, por kërkojnë që në objektin e ri shkollor të mësojnë të gjithë fëmijët e Idrizovës, pavarësisht përkatësisë etnike.
Loading…




