Qeveria e Maqedonisë në seancën e sotme miratoi marrëveshjen me Greqinë për ndryshimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut. Pritet që marrëveshja të dorëzohet në Kuvend, ku kryeparlamentari Talat Xhaferi duhet të vendosë në rend dite.
E paqartë është se cili komision parlamentar është kompetent për të shqyrtuar marrëveshjen për ndryshimin e emrit, ai për Politikë të Jashtme ose Komisionin për Çështje Evropiane.
Deputeti i VMRO-së, Antoi Milloshovski dhe njëkohësisht kryetarë i Komisionit për Politikë të Jashtme thotë se ky komision është kompetent për shqyrtimin e marrëveshjes.
Ai thotë se nuk do të çuditej sikur Xhaferi tekstin e marrëveshjes të mos e dorëzojë në komisionin që drejton opozita, sepse, siç thotw ai, pushteti është mësuar ta shkelë rregulloren.
Nuk përjashtohet mundësia që marrëveshja të dërgohet për aprovim në Komisionin për Çështje Europiane, ku kryetarë është deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
Sipas rregullores, që Propozim-ligji për ratifikim të marrëveshjes për emrin të kalojë në Kuvend është e nevojshme shumicë e thjeshtë, respektivisht sw paku 61 deputetë të jenë prezent, prej të cilëve së paku 40 do të duhet të votojnë “pro”.
Pas miratimit në Kuvend marrëveshja duhet të dekretohet nga presidenti Ivanov, i cili ka afat prej shtatë ditë të prononcohet. Nëse ai vë veto, marrëveshja kthehet prapë në procedurë parlamentare dhe ai pastaj është i detyruar ta dekretojë. Mirëpo Ivanov, përkundër obligimit kushtetues, tashmë ka bërë të ditur qëndrimin e tij se nuk do të firmos marrëveshjen.
Fjalën e fundit për marrëveshjen duhet ta thonë qytetarët në referndum, i cili pritet të mbahet në shtator ose tetor.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com