24 Janar
Qeveria paralajmëroi kontroll rigoroz të shpenzimit të parave të qytetarëve. Analiza ka treguar se revizioni i brendshëm te të gjitha institucionet që shpenzojnë financa publike nuk ka qenë në nivelin e duhur. Alsat M gjatë periudhës së kaluar ka raportuar për praktikën në fund të vitit 2017 të nënshkruhen anekse milionëshe të kontratave themelore. Njëra prej tyre është edhe procedura me negocim që para Vitit të Ri e nënshkroi Teatri Shqiptar për rekonstruksionin e objektit. Aneksi në vlerë prej thuajse një milion euro i nënshkruar me ndërmarrjen italiane Shencija. Nga Qeveria bënë të ditur se shpenzimi i parave buxhetore për këtë lloj të kontratave do të jetë objekt i revizionit.
Pyetje: A do të bëhet kontroll edhe në këtë pjesë të shpenzimit të financave publike lidhur me nënshkrimin e anekseve të shtrenjta milionëshe?
Kuptohet. Gjithë këtë që e thatë është pjesë e punës së Entit Shtetëror për Revizion. Ata, këtë e kanë punuar në të kaluarën, do ta punojnë edhe sivjet, në vitin 2018, ndërsa do ta punojnë edhe për të gjitha institucionet që janë shtetërore edhe për vitin 2016, që do të thotë se do të përfshihen të gjitha këto momente që t’i i përmende – deklaroi Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë.
Alsat M, të premten publikoi se Teatri shqiptar ka nënshkruar aneks të kontratës themelore për rekonstruksionin e këtij objekti, me vlerë prej thuajse një milion euro me ndërmarrjen Shencija nga Italia. Tashmë publikuam se kjo kompani është e lidhur me ndërmarrjen “Lamone Moreda” e cila ka nënshkruar kontratën fillestare për rekonstruksionin e Teatrit dhe më pas bankrotoi. Shencija e bleu filialen maqedonase të “Lamone Moreda” dhe vazhdoi të punojë në ndërtesën e Teatrit shqiptar. Përmes Regjistrit Qendror Italian e kontrolluam edhe ndërmarrjen Shencija SHPK. Dokumentet tregojnë se ajo ka dy ndërmarrje këtu, me seli në rrugën “Boemska” në lagjen Debar Maallo. Në ndërtesën e njëjtë përveç ndërmarrjeve Shencija, është regjistruar edhe ndërmarrja “Italmak Konstrukcii” në të cilën pjesëmarrje ka edhe Shencija. Ndërmarrja “Italmak konstrukcii”, nga ana tjetër, ka punuar në “Shkupi 2014”. Ura “Syri” dhe shatërvanët në lumin Vardar janë projektet në të cilat kanë punuar. Megjithatë, rrjeti i pronësisë së ndërmarrjeve që kanë marrë tendere për ndërtimin e objekteve shtetërore degëzohet në mënyrë plotësuese. Ndërmarrja Shencija nga Italia e cila rikonstruonte Teatrin shqiptar është në pronësi të një ndërmarrjeje tjetër ose të Elektra Italija, e cila gjithashtu ka punuar në një pjesë të objekteve të reja në Shkup. Megjithatë, rrjeti nuk përfundon këtu. Elektra Italija është në pronësi të ndërmarrjes “Trust Blu” nga Italia. Me këtë firmë përfundon përkufizimi i pronësisë. Përmes Regjistrit qendror italian nuk mund të vërtetohet se kush është pronar i “Trust blu” meqë është fshirë numri tatimor. Teatri shqiptar dje me shkrim iu përgjigj Alsat M se punë të paparashikueshme janë arsyeja për aneksin e fundit me vlerë prej thuajse një milionë euro. Prolongimi i të gjitha afateve të caktuara ka qenë vetëm për shkak të rekonstruimit të ndërmarrjes “Lamone Moreda”, e cila ishte blerë nga Shencija SHPK. Sipas të dhënave të teatrit, ndërmarrjes “Lamone Moreda” i janë paguar një milion euro, ndërsa Shencijës rreth 2 milionë e 700 mijë euro. Për katër anekse të kontratës themelore janë paguar 80 milionë denarë pa përfshirë TVSH-në.
Bojan Stojanovski

