Qeveria ka stopuar reklamat në radio, televizione, gazeta dhe bilborde. Do të ketë vetëm informacione publike në servisin shtetëror dhe në rrjetet sociale. Kampanjat qeveritare “ për tolerancë”, “për fëmijën e tretë”, “për aborte” e të ngjashme të cilat kanë qenë prezentë nëpër mediat komerciale nga pushteti i kaluar, shkojnë në histori. Një vendim i tillë u soll në mbledhjen e djeshme të Qeverisë.
Nuk do të ketë më marketing, nuk do të ketë promovim, por vetëm informata publike ku do të promovohen disa shërbime , si psh: nëse do ketë linjë telefonike pa pagesë për pengimin e dhunës në familje nga Ministria për Punë Sociale ose informacion me karakter publik për pensionistët, për kategoritë e pambrojtura të popullsisë e të ngjashme. Nuk është fjala për promovime- bëhet me dije nga Qeveria.
Nga qeveria thonë se reklamat dhe marketingu i cili ekzistonte më parë, nuk do jetë më, e as materialet të cilat në të kaluarën janë interpretuar si një lloj propagande. Konkurset publike sipas ligjit, mbetet të publikohen në servisin publik dhe në mediat e shkruara.
Vendimi i qeverisë për stopimin e reklamimit është pjesë e planit reformator 3-6-9. Në të, në pjesën e mediave shkruan se Qeveria do të ndërtojë partneritet me sektorin civil, me qëllim që ta çlirojë hapësirën mediatike nga cilido ndikim institucional ose personal, përfshi këtu edhe varshmërinë financiare.
Përveç stopimit të reklamimit komercial, në vendim shkruhet se servisi publik do të zhvillohet drejt profesionalizmit. Më pas do të mbështetet respektimi i kodit etik. Për reklamim jo transparent, për blerje të mediave përmes reklamave dhe për lidhjen e ngushtë Qeveri-Media , Qeveria e Gruevskit ka qenë ashpër e kritikuar në të gjitha raportet e organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve gjatë viteve të kaluara.
Vjollca Aliti

