Në vitin 2018 ka mundësi të mbyllet çështja e emrit, tha zëdhënësi i qeverisë greke Dimitris Xanakopulos. Sipas tij, nëse merret parasysh siç tha ai edhe qëndrimi pozitiv që e ndjek udhëheqja e re politike në vend, atëherë hapet mundësia që të zgjidhet problemi.
“Mendimi im është se duhet ta përdorim këtë dritare të mundësisë, duhet ti gjejmë kushtet më të përshtatshme dhe procesin më të përshtatshëm, për të ecur drejt një zgjidhje të problemit”, tha zëdhënësi i qeverisë greke për televizionin shtetëror ERT.
Ai shtoi se nëse në Greqi arrihet një konsensus, atëherë atë do ta pranojnë të gjitha partitë, duke përfshirë edhe ata që tani janë kundër përdorimit të fjalës “Maqedoni”.
Ndërkohë e përditshmja greke “Kathimerini” në një analizë shkruan për rritjen e presionit ndërkombëtar. “Pritet të shtohen presionet nga faktorët ndërkombëtar, të cilët duan zgjidhje të shpejtë të dallimeve rreth emrit, para së gjithash amerikanët dhe evropianët, veçanërisht gjermanët me qëllim që të zhbllokohet perspektiva euroatlantike jo vetëm e Shkupit por edhe e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë në rrezik nga përshkallëzimi ose nga ndikimi rus”, shkruan Kathimerini.
Lidhur me marrëdhëniet dypalëshe gazeta shkruan se shpesh në analizat greke është theksuar se Athina sheh vullnet të mirë në retorikën e kryeministrit Zaev, por në të njëjtën kohë pret edhe hapa konkret dhe veprime praktike, siç është ndërrimi i emrit të aeroportit të Shkupit që në praktikë do të dëshmonte heqjen dorë nga irredentizmi.