Ligji për mbrojtjen e fëmijëve do të përpunohet dhe do t’i dorëzohet Kuvendit, thanë për MIA-n nga Qeveria, pasi presidentja Gordana Siljanovska-Davkova refuzoi ta nënshkruajë dekretin, transmeton Portalb.mk.
Nga Qeveria shkurt kanë thënë se procedura do të zhvillohet në përputhje me afatet ligjore.
“Si Qeveri, informojmë se ligji do të përpunohet dhe do t’u prezantohet deputetëve në përputhje me procedurat ligjore”, kanë deklararuar nga Qeveria.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova më 31 dhjetor 2024 i ka dërguar njoftim kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi se nuk do ta nënshkruajë dekretin për Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, pasi sipas saj, amendamentet e votuara përmbajnë disa dispozita kontroverse. Kjo i referohet amendamenteve për licencat në dy gjuhë.
Presidentja ka kërkuar rishikimin e dispozitave të neneve 9 dhe 10 të projektligjit. Siljanovska Davkova tha se nenet e parashikuara të ligjit duhet të rishqyrtohen në prizmin e amendamentit 5 të Kushtetutës dhe ligjit ekzistues për përdorimin e gjuhëve.
“Dëshiroj t’ju rikujtoj se mënyra e përdorimit të gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj cirilik, dhe gjuha që flasin së paku 20% e qytetarëve dhe shkrimi i saj tashmë janë të rregulluara me ligj”, thuhet në sqarimin e Siljanovskës.
Siljanovska-Davkova thekson edhe dispozitën e nenit 182, paragrafi 5 i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, me të cilin rregullohet mënyra e marrjes, vazhdimit dhe revokimit të licencës për punë, formën dhe përmbajtjen e formularit të licencës, të cilat i përcakton ministri.
“Besoj se Kuvendi, si bartës i pushtetit legjislativ, do t’i ketë parasysh vërejtjet dhe sugjerimet e mia gjatë shqyrtimit të dispozitave të nenit 9 dhe nenit 10 të Ligjit për ndryshimin e ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, të cilin e miratoi më 24 dhjetor 2024 dhe do të krijojë zgjidhje të qarta në përputhje me Kushtetutën”, thuhet në sqarim.
Aleksandar Nikolloski nga VMRO-DPMNE njëherit edhe ministër i Transportit në një dalje në televizionin Sitell tha se e respektojnë qëndrimin e presidentes.
Sipas Nikolloskit, Qeveria është e gatshme që ta përpunojë Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, pasi të shqyrtohen vërejtjet e presidentes
“Do të prisnim të shihnim shpjegimin e saj sepse kur presidenti kthen një ligj të caktuar në Kuvend, jep shpjegim se në cilën pjesë nuk pajtohet me ligjin. Dhe ne jemi të gatshëm ta përpunojmë ligjin në përputhje me shpjegimin dhe sugjerimet e saj, në mënyrë që kur të kemi shpjegimin dhe sugjerimet, të jemi gati që ky ligj të kthehet në qeveri dhe më pas në procedurë parlamentare. Të përpunohet në përputhje me rekomandimet dhe në përputhje me Kushtetutën, si dhe të kemi një ligj që do të plotësojë kriteret kushtetuese, sepse jam i bindur se presidentja është udhëhequr nga Kushtetuta kur e ka marrë këtë vendim”, tha Nikolloski.
LSDM-ja ka kërkuar nga Qeveria që të heqë dorë tërësisht nga ndryshimet në Ligjin kontrovers për mbrojtjen e fëmijëve.
“E mirëpresim mosnënshkrimin e dekretit nga presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, me të cilin u hap kjo mundësi, dhe kërkojmë që qeveria të tërhiqet nga synimet e saj për shkak të dispozitave kontradiktore që përmban. Neni 9 dhe neni 10 i Projektligjit për ndryshime të propozuara nga Qeveria nënkuptojnë futjen e licencave dygjuhëshe në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. Është e diskutueshme që ky segment rregullohet me një ligj tjetër që rregullon përdorimin e gjuhëve, si dhe me Kushtetutën e vendit”, thanë nga LSDM.