Edhe Qeveria sot ka reaguar për djegien e veturës që shfrytëzohej nga Artan Grubit dhe e ka cilësuar rastin si akt dhune ndaj zëvendëskryeministrit. Nga Qeveria thonë se siguria është prioritet kryesor në një shoqëri demokratike andaj institucionet po veprojnë me shpejtësi.
“Qeveria dënon aktin e djegies së automjetit të përdorur nga nënkryetari i parë i Qeverisë, Artan Grubi dhe e konsideron atë si një akt dhune plotësisht të papranueshëm dhe të palejueshëm në një shoqëri demokratike që angazhohet për vlerat evropiane. Të gjitha institucionet kompetente, organet hetimore dhe gjyqësore, në kuadër të kompetencave të tyre, veprojnë pa vonesë, me vendosmëri dhe profesionalizëm për zbardhjen e plotë të këtij rasti në kohën më të shpejtë të mundshme”, deklarojnë nga Qeveria.
Opozita ndërkohë kërkon që institucionet të hetojnë pasurinë e Artan Grubit. Nga VMRO-DPMNE thonë se Prokuroria publike duhet të hetojë pse Grubi nuk e ka paraqitur veturën e tij e cila kushton rreth 80 mijë euro.
“Pse Grubi nuk e ka paraqitur automjetin i cili u dogj në listën e tij anketuese. Kërkojmë nga Prokuroria Publike të hapë procedurë për fshehjen e pronës, fshehjen eventuale të tatimit dhe keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare kundër Grubit, i cili, veturën të cilën e gjithë Qeveria dëshmoi se është i tij nuk e ka paraqitur në listën anketuese dhe nuk e ka regjistruar në emër të tij”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.


