Një 28 vjeçar ka rënë në pranga ditën e sotme (20 korrik) në aksin rrugor “Skërficë-Sarandë”, pasi iu gjetën në automjet lëndë narkotike, të tipit kokainë, e cila më pas ndahej në doza për shitje në lokalet e natës të qytetit bregdetar.
Është arrestuar i riu, Xhulian Halili, banues në Tiranë.
Policia e Sarandës, përmes operacionit të koduar “Nexus”, arriti të gjejë 207 gramë kokainë në automjetin e 28 vjeçarit.
Lënda narkotike është sekuestruar e do të shërbejë nën cilësinë e provës materiale.
Po kështu është sekuestruar automjeti dhe celulari i Xhulian Halili.
Çështja i ka kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë
Sarandë
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Sarandë operacioni policor i koduar “Nexus”.
Sekuestrohen 207 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.
Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga poseduesi i lëndës narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar “Tempulli 3”, të mbështetura dhe nga inteligjenca operative, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Nexus”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi Xhulian Halili, 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në aksin rrugor Skërficë-Sarandë, shtetasin e lartpërmendur, të cilit gjatë kontrollit në automjetin e tij i gjetën 207 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike kokainë, dyshohet se e ndante dhe e shiste lëndën narkotike në doza, kryesisht në lokalet e natës në qytetin e Sarandës.
Lënda narkotike, së bashku me një automjet dhe një celular, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.