Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin edhe njëherë e quajti Perëndimin “Perandori e Gënjeshtrave”. Këtë deklaratë Putin e bëri ndërsa po diskutonte mbi ekonominë ruse me zyrtarë të lartë të vendit pas vendosjes së sanksioneve nga perëndimi kundër Moskës, shkruan Alsat
“Mishustin dhe unë diskutuam këtë temë, natyrisht duke pasur parasysh sanksionet që i ashtuquajturi komunitet perëndimor – siç e quajta në fjalimin tim, ‘perandoria e gënjeshtrës’ – tani po përpiqet të vërë në zbatim kundër vendit tonë”, tha Vlladimir Putin, President i Rusisë
Putin të njëjtën shprehje e kishte përdorur ndaj Perëndimit më 24 shkurt, pikërisht ditën kur nisi pushtimin e Ukrainës. Putin gjatë fjalimit bëri një lidhje të qartë mes sanksioneve të forta dhe vendimit të tij të së dielës për ti vënë në gjendje gatishmërie të lartë forcat bërthamore.
Deklaratat e tilla të Moskës shtuan shqetësimin te vendet e Perëndimit. NATO-ja por edhe shtete të shumta njoftuan se do ta ndihmojnë Ukrainën me armë, ndihmë humanitare dhe financiare.
Por zëdhënësi i Kremlinit kërcënoi Perëndimin për “pasoja të rrezikshme” nga dërgimi i armëve në Ukrainë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterresh iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në mbledhjen e saj të parë urgjente që nga viti 1982, duke theksuar se duhet t’i thuhet mjaft pushtimit rus. Ai gjithashtu tha se vendosja në gatishmëri e armëve bërthamore nga Rusia është “një zhvillim rrëqethës”.
“Lufta në Ukrainë duhet të ndalet.. asgjë nuk mund të justifikojë përdorimin e armëve bërthamore”, tha Antonio Guterres, sekretar i përgjithshëm i OKB-së
Guterresh u shpreh optimist se bisedimet midis delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë do t’i japin fund luftimeve dhe zgjidhja do të kërkohet në rrugë diplomatike.