27 June
LSDM-ja është duke i përgatitur ndryshimet e ligjit për mbrojtje nga duhani, diçka që një kohë të gjatë e paralajmëronte edhe gjatë fushatës zgjedhore. Sipas deputetit Tomisllav Tuntev megjithatë, zgjidhja e re ligjore nuk do të dallojë shumë nga ajo aktuale. Ndryshime më të mëdha do të ketë për të ashtuquajturat tarraca, përkatësisht pjesë të kafiterive dhe restoranteve ku lejohet pirja e duhanit vetëm kur objekti nuk ka çati ose është i hapur prej së paku tre anëve.
Është e palogjikshme, ranë ca pika shiu dhe fryni erë e lehtë, dikush nga mysafirët kërkoi të lëshohet najloni, meqë kanë ndryshuar kushtet meteorologjike dhe tani ju nga ai moment nga duhanpirës duhet të shndërroheni në mos pirës të duhanit, vetëm për arsye se njëri najlon ose njëri qelq është mbyllur. Ne propozojmë aty ku është e lejuar pirja e duhanit të jetë e lejuar pa marrë parasysh kushtet meteorologjike – tha Tomislav Tuntev, deputet i LSDM-së.
Për ndryshime më të mëdha, si për shembull të lejohet pirja e duhanit në një pjesë të objektit hotelierik do të mendohet në mënyrë shtesë. Hotelierët konsiderojnë se është mirë që përfundimisht të vendoset se në cilat tarraca lejohet pirja e duhanit, meqë interpretimet e ndryshme kanë rezultuar me gjoba selektive nga ana e inspektorëve.
Në objekte të mbyllura ku ka ushqim duhet të jetë e ndarë, diçka siç është në Serbi për momentin. Ja edhe në Austri ka objekte të cilat janë të ndara në hapësira për duhanpirës dhe ata që nuk e pinë duhanin -tha Kërsto Blazhevski, kryetar i HOTAM.
Përballë dëshirave të hotelierëve, dhe premtimeve të pushtetit të ri janë mjekët. Të dhënat tregojnë se është rritur numri i duhanpirësve në Maqedoni.
“Me kalimin e kohës u zbutën masat, nuk zbatoheshin me përpikëri, sërish jemi dëshmitarë se ka restorante në të cilat mund të takohen duhanpirës përkundër faktit që një gjë e tillë është e ndaluar”, tha Elena Qosevska, instituti për shëndet publik.
Edhe mendimet e qytetarëve janë të ndara.
“Sipas meje, nuk duhet të lejohet pirja e duhanit. Le të ndalohet kudo”.
“Në restorante në të cilat shërbehet ushqim ndoshta nuk duhet të pihet duhan, por nëpër bare në të cilat shërbehet vetëm pije do të ishte në rregull”.
“Konsideroj se kemi ligj të balancuar, por ky ligj duhet të aplikohet kudo”.
Ndryshimet e fundit të mëdha të ligjit për mbrojtje nga duhani janë miratuar nga viti 2010. Të dhënat nga inspektorati i tregut tregojnë se në vitet e para pushteti ka kryer madje deri më 16 mijë kontrolle në vit lidhur me atë se a respektohet ligji. Viti i fundit për të cilin ekzistojnë të dhëna, viti 2015,, tregon se numri i kontrolleve është zvogëluar për madje 4 herë, në vetëm 4 mijë kontrolle të tilla në vit.
Alsat-M

