Pushimorja në Ponikva nesër do t’i presë pacientët nga tragjedia në Koçan, ndërsa përmirësohen kushtet për pacientët në spitalin e Koçanit, u njoftua në konferencën e sotme për media në Qeveri.
Dr. Katerina Paniq-Mirçovska, u.d. Drejtoreshë e Spitalit të Përgjithshëm – Koçan, informoi se në bashkëpunim me Qeverinë, janë sjellur kremrat e nevojshëm për aplikim në djegiet – dërgesa e parë tashmë ka mbërritur në spital dhe një pjesë e saj në pushimoren në Ponikvë. Kanë mbërritur edhe arna ngjitëse që pacientët i kanë kërkuar për një kohë të gjatë, tura e parë që ka mbërritur ka numëruar 95 arna ngjitëse.
Tashmë janë nënshkruar kontrata me SPQ “8 Shtatori” për pulmonologët, janë përpunuar listat e pacientëve që kanë nevojë për ekzaminim të domosdoshëm në pulmonolog. Paniq – Mirçovska theksoi se do të hartohet listë e nevojave, orar i ekzaminimeve pulmonare, që do të bëhen në Spitalin e Përgjithshëm – Koçan.
“Sa i përket veshjes kompresive, mund t’i them eksperiencat e para nga terreni. Pra, 58 personave të lënduar tashmë u janë dhënë veshjet e kompresimit dhe ata po i veshin ato. Tashmë kemi ndryshime të dukshme pozitive në vetë plagët”, theksoi ajo.
Plus 14 personave të tjerë u janë bërë matje për veshjen e rrobave kompresive.
“Paralajmërimi i përfaqësuesve të kompanisë nga Gjermania dhe përfaqësuesve të përfaqësimit në Bullgari është se për dy javë ata do të vijnë përsëri, për të parë vërejtjet pozitive ose negative që të dëmtuarit kanë në lidhje me veshjet e kompresimit, në lidhje me masat dhe nëse ato janë të përshtatshme për të gjithë, do të fillojë procesi i bërjes së palës së dytë të veshjeve të kompresimit, dhe çifti i parë i veshjeve të kompresimit do t’u dorëzohet atyre te të cilët janë bërë masa gjatë kësaj jave”, sqaroi Paniq – Mirçovska.
Ajo tha se veshja e kompresimit u lejon atyre të kryejnë ushtrime të mjekësisë fizike, lejon ushtrimin e aktiviteteve të përditshme dhe shtoi se kjo është mbrojtje shtesë nga rrezet e diellit, sepse ata përdorin një faktor mbrojtës prej 30 në materialin nga i cili janë bërë.
Gjatë qëndrimit në Ponikvë, për ata që janë në shkollë, është planifikuar të ketë takim edhe me mësimdhënësit e tyre, pedagogët dhe psikologët e tyre nga shkollat e tyre.
Zëdhënësja e qeverisë Marija Miteva tha se aktualisht po rikonstruktohet hapësira e mjekësisë fizike në spitalin e Koçanit, me një sipërfaqe totale prej 350 metrash katrorë. Afati për përfundimin e punimeve janë parashikuar për tre deri në katër javët e ardhshme.
“Dua të informoj se si po shkon rikonstruksioni. Puna filloi me instalimin e dritareve të reja, instalim tërësisht i ri elektrik dhe rrjet i ri i ujësjellësit dhe kanalizimit. Rekonstruksioni do të vazhdojë. Hidroizolimi i objektit, instalimi i një vertikale krejtësisht të re të rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit që
lidh departamentet e sipërme mbi mjekësinë fizike – konkretisht kirurgjinë, gjinekologjinë dhe neurologjinë, shtrirja dhe restaurimi i dyshemesë dhe vendosja e dyerve të reja. Veçanërisht të rëndësishme që si Qeveri e vlerësojmë është se është e nevojshme të theksohet se pas shumë vitesh po aftësohet rrjeti hidrant, i cili ishte plotësisht jofunksional dhe po instalohet sistem i ri zjarrfikës, element i domosdoshëm për sigurinë e pacientëve dhe stafit mjekësor”, tha Miteva.
Ky nuk është vetëm rekonstruksion, theksoi ajo, ky është “sinjal i qartë se Koçani po merr kujdes sistemik.”
Ajo u përqendrua edhe në përmirësimet që u bënë në Ponikva.
“Po ndërmerren hapa seriozë edhe atje për përmirësimin e kushteve në pushimoren, që tashmë duhet të njoftoj se do t’i presë pacientët nga nesër. Ministria e Sportit ka pajisur plotësisht të dy terrenet për lojëra dhe rekreacion. Janë instaluar rrjeta mushkonjash, të cilat janë thelbësore për të mbrojtur pacientët në këtë fazë. Është zbatuar edhe dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi i plotë, duke përfshirë edhe pucetat rreth objektit, në bashkëpunim me Qendrën e Shëndetit Publik – Koçan. Ndryshe nga koha kur institucionet ishin braktisur vetëm, pa mjete fikse dhe pa vizion, sot kemi si Qeveri – qasje sistemore, investojmë në infrastrukturën, sigurinë dhe qasjen e sistemit shëndetësor”, shtoi Miteva.
Ajo tha se Koçani është dhe do të vazhdojë të jetë prioritet.
“Qytetarët kanë të drejtë për kushte modern, ndërsa institucionet kanë detyrimin për t’i siguruar ato. Edhe kjo që shohim sot është edhe një konfirmim i angazhimit tonë ndaj Koçanit”, nënvizoi zëdhënësja e Qeverisë.
Miteva u pyet për premtimin e kryeministrit Hristijan Mickoski për të shfuqizuar kontributet për gazetarët, nëse vjen në pushtet, deri ku është procedura dhe nëse është diskutuar në Qeveri.
“Po, dhe kjo është një nga situatat që po diskutojmë me të gjitha sindikatat dhe besoj se në periudhën në vijim, ne do të dalim me një qëndrim zyrtar se si dhe kur do të zbatohet kjo,” u përgjigj Miteva.
Sa i përket komisioneve për çështje historike, ajo u pyet pse nuk kishte njoftim për zëvendësimin e anëtarëve të komisionit për çështje historike me Greqinë, kush janë anëtarët e rinj të këtij komisioni nga pala maqedonase, dhe pse mbledhjet e komisionit të historisë me Greqinë dhe Bullgarinë po mbahen në fshehtësi.
“Mund të konfirmoj vetëm se, po, në një seancë të mbyllur është bërë dryshim në komisionin e historisë me Greqinë. Sidoqoftë, duke marrë parasysh faktin se ky është vendim që u mor në seancë të mbyllur, ju lus që detajet rreth arsyeve dhe cilët janë personat, të merren nga Ministria kompetente – kjo është Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme”, u përgjigj zëdhënësja e Qeverisë.